E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formaliteti i Disiplinës: Tri pikët në tavolinën e Skënderbeut

Vendimet

Ishte apo nuk ishte një skenar i studiuar mirë dhe i aplikuar thjesht, kjo ngelet për t’u zbuluar, por tashmë ajo që vlen është se Skënderbeu i mori tri pikët në tavolinë për atë ndeshje të humbur në fushë ndaj Vllaznisë të shtunën e fundit në “Loro Boriçi”. Ky ka qenë vendimi, i cili pritej thuajse 100% i sigurt që në moment të pasndeshjes së humbur nga korçarët 3-2 në Shkodër, por që dje anëtarët e Komisionit të Disiplinës i kanë dhënë ngjyrat zyrtare. “Ekipi i KF Vllaznia, për aktivizim në lojë në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu të një lojtari që nuk ka qenë në protokollin e ndeshjes, në bazë të neneve 4, 9, 19 dhe 26/20 të KDS, humbet ndeshjen me rezultatin 2-0”, shkruhej në komunikatat për shtyp, pas mbledhjes së komisionit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Me këto tri pikë Skënderbeu ngjitet në kuotën e 36 pikëve, duke kapërcyer dy vende, Teutën (35) dhe Apoloninë (34). Ndërsa rehabilitohet për sa u përket pikëve Vllaznia (tani 39), por nuk ndryshon pozicion në renditje. I njëjti fat e ka pritur edhe Maliqin, për gabime në protokollin e ndeshjes në lidhje me aktivizimin e një lojtari. Fitorja 2-0 në tavolinë i shkon Domosdovës. Vllaznia është gjobitur edhe me 50 mijë lekë të reja për hedhje sendesh të forta në fushë. E njëjta gjobë i shkon edhe Apolonisë, por për të njëjtën arsye, hedhjen e sendeve të forta në fushë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›