E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja kuqezi e regbisë, mision diplomatik në MTKRS

Takimi Objektivi: Zyrtarizimi i lindjes së përfaqësueses shqiptare

Nga Italia ka nisur një “mision diplomatik” me objektivin që të zyrtarizojë lindjen e përfaqësueses shqiptare të regbisë. Pierxhorxho Grico, menaxheri i Kombëtares kuqezi dhe Gaspër Daupi, babai i kapitenit të skuadrës, Seevianit, pas pak orësh do të paraqiten në Tiranë. Në fakt, sipas axhendës, të enjten në orën 11:00 ata do të takohen me ministrin e Sporteve, Ferdinand Xhaferri. “Do të diskutojmë për mundësinë e krijimit të Federatës Shqiptare të Regbisë”, kanë saktësuar “diplomatët” e topit në formë ovale. “Gjithashtu do ta ftojmë zyrtarisht të marrë pjesë në ndeshjen ku Kombëtarja do të debutojë në fillim të muajit qershor”. Skuadra përbëhet nga lojtarët shqiptarë më të mirë të regbisë, që militojnë në ligat europiane. Pjesa më e madhe e tyre, duke përfshirë edhe yllin e ekipit, kapitenin Sevian Daupi, aktivizohet në kampionatin “Super 10”, ligën elitare të regbisë në territorin italian. Të shtunën, më 12 qershor, përfaqësuesja kuqezi do të debutojë në orën 18:00 në Borgomeduna, kundër skuadrës me emrin “Dogi”. Për këtë ngjarje të shënuar në sportin më të ri, me të cilin Shqipëria do të përfaqësohet, grumbullimi i skuadrës do të bëhet afro një muaj më parë. Lojtarët do të paraqiten për përgatitjet përfundimtare më 14 dhe 15 maj.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›