Formula 1, Arabia konfirmoi spektaklin

Max Verstappen tregoi karakter ndërsa Ferrari dhe Charles Leclerc u konfimruan binomi më premtues i këtij sezoni. Gara e Arabisë Saudite dhuroi emocione dhe për herë të dytë brenda një jave, një përballje që mund të karakterizojë sezonin deri në metrat e fundit. Kampioni i botës përballë kokëkuqes nga Maranello. Garë për tu vendosur në kornizë, Red Bull mbylli një fundjavë perfekte me pole position dhe një vend të parë.
Beteja në Lindjen e Mesme, e dyta brenda pak ditësh konfirmoi faktin se ndryshimet në Formula 1 ishin të nevojshme. Verstappen e parakaloi rivalin vetëm tre xhiro nga fundi por gara nuk u mbyll në këtë moment pasi incidenti mes Albon dhe Stroll trazoi sërish letrat por Red Bulli i holandezit arriti të ruante ritmin deri në fund për të rikthyer te fitorja kampionin e botës që ndryshe nga gara e parë, nuk u tradhëtua nga njëvendëshja e tij.
Mund veçse të ngushëllohet me vendin e dytë Leclerc që konfirmoi faktin se është një pilot i kompletuar tashmë. Monegasku dueloi deri në fund pavarësisht faktit që pista e Arabisë Saudite ndryshonte shumë nga ajo e Bahreinit ku karakteristikat e pistës i shkonin më shumë për shtat Ferrarit. Makina F1-75 është aty dhe këtë e tregoi me vendin e tretë të Carlos Sains në dëm të Sergio Perez.
Pas dy ndalesave të para, Australia pas dy javësh ngjall shumë interes edhe pse Mercedes mund dhe duhet të bëjë më shumë për t’u future mes dyshes Red Bull-Ferrari. Në Arabi, një katastrofë e vërtetë për gjermanët me Russel që e mbylli garën me 32 sekonda distancë nga vendi i parë, ndërsa Hamilton vetëm i dhjeti duke u parakaluar edhe nga Ocon, Norris, Gasly dhe Magnussen.