Formula 1, Domenikali: Ndëshkimet, vetëm sportive

Skuadrat e Formulës 1 që gjenden fajtore për tejkalimin e kufirit të lejuar të shpenzimeve, duhet të përballen me ndëshkim sportive dhe jo financiare. I këtij mendimi është kreu ekzekutiv i Kampionatit Botëror të Formulës 1, Stefano Domenikali, teksa Federata Botërore e Automobilizmit (FIA), po punon duke shqyrtuar pasqyrat që i janë dorëzuar nga skuadrat për sezonin e shkuar. Ajo ka rritur nivelin e analizës së shpenzimeve nga konkurrentët, duke synuar të ndëshkojë edhe ata që janë munduar të mashtrojnë me bilancet.
“Red Bull”-i u ndëshkua sezonin e shkuar për shkeljen e kufirit të lejuar të shpenzimeve në 2021-shin, me 7 milionë dollarë dhe reduktimin me 10% të kohës së punës në tunelin e erës, por kjo ka lënë për të dëshiruar dhe është kritikuar nga skuadrat rivale, të cilët kanë theksuar se forma e shkëlqyer e skuadrës austriake dëshmoi se ndëshkimi nuk ishte i mjaftueshëm. Për këtë arsye, Domenikali ka kërkuar ndëshkime sportive për ta korrigjuar këtë mangësi.
“Do të dëshiroja që, në çdo rast shkeljeje, ndëshkimi të ishte i natyrës sportive dhe ne kemi qenë të qartë në këtë kërkesë, – ka thënë ai për mediat ndërkombëtare, duke shtuar: “Janë 3 rregulloret që duhen respektuar, sportive, teknike dhe financiare. Çdo shkelje e tyre duhet ndëshkuar në aspektin sportiv dhe nuk duhet të shkojmë në drejtime të tjera”, – ka përfunduar Domenikali.