Forumi Britani-Shqipëri, paraqiten potencialet e Shqipërisë

Forumi i katërt i investimeve britanike në Shqipëri ka qenë një mundësi e mirë që autoritetet shqiptare të shpalosnin potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria për investime nga bizneset e Britanisë së Madhe.
Minisitri i Kulturës Aldo Bumci, zv. ministri i Tregtisë Eno Bozgo dhe krediplomati shqiptar në Britani Mal Berisha u ndal vecanërisht në progresin që ka shënuar vendi ynë gjatë këtyre viteve, por dhe mundësive për të investuar në turizëm, energji e në sektorë të tjerë, duke premtuar lehtësira fiskale për investitorët e huaj.
“Shqipëria është një vend i vogël por me mundësi të mëdha, Shqipëria mbetet sekreti i fundit i Evropës. Në çdo kohë në Shqipëri ofrohen shanse dhe mundësi të pafundme për këdo që vjen si vizitor apo investito. Shqipëria është si Zvicër me det, ku me rreth 400 km janë vijë bregdetare 200 prej të cilave bregdet rërë, pa harruar faktin se Shqipëria është e dyta pas Spanjës për ditët me diell. Shqipëria është një vend shumë i sigurt, vitin e kaluar kanë ardhur rreth 4 milionë vizitorë dhe qeveria po investon shumë më shumë në infrastrukturë se në promovimin e turizmit. Shqipëria po ndryshon nga dita në ditë dhe nga Britania ka patur rreth 76 mijë vizitor në vitin 2011, që janë 23% më shumë se një vit më përpara” tha ai .
Zv.ministri Bozgo u ndal vecanërisht në realizmin e linjës së interkoneksionit me Kosovën, duke deklaruar se me përfundimin e projektit, Shqipëria do të jetë ndër vendet më të ndërlidhura me energji.
Dhe duke qenë se mikpritës i forumit ishte Britania e Madhe kryediplomati shqiptar në Britani z.Mal Berisha, duke folur për mundësitë fantastike për të investuar në Shqipëri, ka cituar mediat britanike që e dëshmojnë një gjë të tillë.
“Ky forum është i rëndësishëm për shtetin tim theksoj z.Berisha pasi sivjet ne festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë. Sot jam shumë i lumtur të them që shteti im ka bërë një progres të qenësishëm dhe Shqipëria ka shumë për të festuar në këtë përvjetor; është transformuar nga vendi më i izoluar në Evropë në vendin me ekonominë më dinamike me liri demokratike të garantuara. Banka Botërore në Doing Business `99 e rendit Shqipërinë në vendin e dytë për reformat e marra, kurse tani Shqipëria është renditur në vendin e 15 në Botë për mbrojtjen e investitorëve.
Ky forum u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Te pranishëm në këtë forum ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Jashtme Britanike, Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim , Komisionit Evropian si dhe shumë përfaqësues të bizneseve britanike .