Forumi ekonomik, Topi, vizitë dyditore në Gjermani
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të Presidentit gjerman, z. Horst Köhler. Gjatë qëndrimit dyditor në Gjermani, Presidenti Topi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, deputeti Gazmend Oketa, anëtarë të kabinetit të Presidentit etj. do të zhvillojë takime me Presidentin e Gjermanisë, Horst Köhler, dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit federal. Temë qendrore e bisedimeve mes dy presidentëve do të jetë thellimi dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në kuadër dhe të zhvillimit e të integrimit të Shqipërisë dhe të rajonit ballkanik në strukturat evropiane. Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar do të marrë pjesë në forumin ekonomik që do të zhvillohet në Berlin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dyja vendeve, gjatë të cilit Presidenti Topi do të mbajë një fjalë përshëndetëse, kryesisht lidhur me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.