E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Forumi i biznesit Shqipëri–Izrael/ Bujqësia, energjia dhe inovacioni fushat me më shumë bashkëpunim

Shqipëria është kthyer ndër vendet më atraktive për bizneset e huaja dhe kjo ka ardhur si rezultat se qeveria ka krijuar kushtet e biznesit për të ardhur në vendin tonë.

Kjo u theksua nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku gjatë forumit të Biznesit Shqipëri–Izrael.

“Shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona për vitin 2021 ishin 40 milionë euro, ndërkohë të realizuara për vitin 2022 kanë qenë 57 milionë euro. Për periudhën 6-mujore të vitit 2023 kemi arritur në 21 milionë euro dhe unë shpresoj të tejkalojmë vitin 2022, pasi kjo është sfida jonë,” u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja bëri me dije se bashkëpunimi me Izraelin është rritur nga viti ne vit. Bujqësia, energjia dhe inovacioni fushat me më shumë bashkëpunim me Izraelin.

Pjesëmarrës në këtë forum, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ftoi kompanitë izraelite më në zë që të vijnë në Tiranë.

“Kemi vendosur bashkë me ambasadorin që ne duam në agroparkun e Tiranës të kemi jo vetëm shitje me shumicë, por edhe një hapësirë ku të mësojmë, jo vetëm të trajtojmë specialistët, jo vetëm të kemi një panair të produkteve apo risive të ndryshme, po edhe një hapësirë ku të kemi forume të tilla të fokusuara kryesisht te bujqësia dhe agroteknika,” tha kryebashkiaku Veliaj.

Aktualisht janë 105 biznese izraelite që operojnë aktualisht dhe janë me status aktiv në vendin tonë por ka filluar të ketë rritje interesi për investime nga kompanitë izraelite në fushën e infrastrukturës.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›