Forumi i përbashkët i biznesit me Turqinë, potencial bashkëpunimi për energjinë e rinovueshme

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Shqipëria ka një perspektivë të zhvillimit të shpejtë dhe është një vend që ofron potenciale të mëdha bashkëpunimi kryesisht në sektorin e energjinë e rinovueshme.
Ishte kjo kryefjala e forumit “Global Energy Insights: Albania Investments & Market Trends” që u zhvillua në Tiranë, me bashkëpunimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Dhomës Shqiptaro-Turke të Tregtisë dhe Industrisë (ATTSO).
Ky forum mblodhi bashkë sipërmarrës nga Shqipëria dhe Turqia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të mundësive për investime, teksa ishin të pranishëm Drejtori Ekzekutiv i AIDA, Laura Saro dhe Bilal Kara, Kryetar i Bordit të ATTSO.
Gjatë fjalës së saj, Saro mbajti një prezantim mbi mundësitë e investimit në Shqipëri dhe rolin e AIDA-s në këtë proces, duke u ndalur te klima e favorshme e biznesit dhe lehtësitë e ofruara për investimet e huaja në vendin tonë.
Paneli u pasua nga prezantimet e Besjan Kadiut, drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë MIE, Gledis Kalemi përgjegjës i Njësisë së Strukturës së Tarifave dhe Çmimeve ERE, Adrist Stërmasi, pedagog pranë UPT, Admira Mlika nga BKT dhe Ilija Nasov.
Emëruesi i përbashkët i eventit ishte sektori energjetik dhe legjislacioni respektiv sa i përket investimeve, efiçenca energjetike, forca punëtore në sektor si dhe financimi i projekteve të ndryshme në energjinë e rinovueshme, duke u përmbyllur dhe me krijimin e ndërlidhjeve nga bisedimet e afërta mes të pranishmëve.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me dhomat e tregtisë, AIDA nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me ATTSO, si një hap më tej drejt fuqizimit të raporteve ekonomike dypalëshe.
1 nga 3