E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foshnja 4-muashje vdes në befotrof, nuk jepen shkaqet

KORÇË - Vdes në rrethana "misterioze" foshnja vetëm 4-muajshe në Shtëpinë e Fëmijës në Korçë. Bebja ka humbur jetën vetëm disa çaste pasi është çuar në dhomën e gjumit. Ngjarja ka ndodhur rreth një muaj, ndërkohë që nga ana e befotrofit të qytetit juglindor deklarohet se ende nuk dihet shkaku përse foshnja ka ndërruar jetë pas gjumit për shkak se ende nuk kanë marrë përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkaq, në skedën e saj të vdekjes rezulton se vajza është mbytur. Vetë personeli i Shtëpisë së Fëmijës ka vendosur varrosjen e bebes, teksa shkaqet e vdekjes së saj duket se janë lënë në harresë nisur edhe nga fakti se vetë nëna e foshnjës me inicialet G.B. nga qyteti i Librazhdit, nuk ka pranuar të tërheqë kufomën e krijesës së saj.


Ngjarja

Gjithçka mësohet të ketë ndodhur në datën 21 gusht 2009 në Shtëpinë e Fëmijës, në qytetin e Korçës. Vogëlushja vetëm 4-muajshe me inicialet G.B., e ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore, ka qëndruar vetëm dy muaj në befotrof, duke vdekur në gjumë, pas ushqimit të drekës. Sipas personelit të Shtëpisë së Fëmijës, foshnja është ushqyer me biberon me "muhalebi" dhe më pas është vënë për të fjetur, ashtu si dhe fëmijët e tjerë. Vetëm gjatë kohës kur edukatorja përgjegjëse ka shkuar të shohë fëmijët për të cilët kujdesej, ka parë gjendjen e vajzës. Në këto kushte ajo ka kërkuar ndihmë, ndërsa në spitalin pediatrik që ndodhet vetëm 50 metra larg Shtëpisë së Fëmijës, është konstatuar vdekja e foshnjës katërmuajshe. Mjekët nuk kanë mundur të bëjnë më asgjë, siç edhe shprehen ata vetë për "Shekulli"-n. Madje, sipas tyre, në spital foshnja nuk është regjistruar pikërisht për këtë fakt. Më tej trupi i fëmijës i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.


Shkaqet

Të pyetur lidhur me shkakun e vdekjes, në Shtëpinë e Fëmijës "nuk dinë" asgjë. Sipas tyre, përgjigjja e autopsisë mjeko-ligjore nuk ka mbërritur ende në këtë institucion. Vetë personeli shprehet se fëmijës i janë bërë shërbimet dhe ditën që vajza 4-muajshe ka ndërruar jetë është ushqyer rregullisht prej tyre dhe më pas është vënë në gjumë. Ata deklarojnë se nuk e kanë idenë se pse mund të ketë ndodhur vdekja. Por ndërkohë, sipas informacioneve të siguruara nga burime të gazettes, bëhet e ditur se në skedën e vdekjes së foshnjës 4-muajshe si shkak për marrjen fund të jetës së saj të shkurtër përcaktohet bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, shkak ky i firmosur nga mjeku-ligjor në qytetin e Korçës. Megjithatë, mësohet se ende nuk ka një hetim lidhur me shkakun e vdekjes së vogëlushes. Vetë personeli i Shtëpisë së Fëmijës bën të ditur se ata kanë kryer varrimin e foshnjës edhe për shkak se nëna e saj nuk ka pranuar që të marrë trupin e vajzës së vet.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›