E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Foto/ Mbërriti i fundit pas vdekjes së Mbretëreshës, Princ Harry largohet i pari nga Balmoral

Princi Harry është larguar sot (9 shtator) nga Balmoral pas 12 orësh duke mbajtur zi për Mbretëreshën me babanë e tij, Mbretin Charles III dhe vëllain Princin William.

Duka i Sussex ishte i pari mbretëror që la kështjellën Aberdeenshire dhe i fundit që mbërriti në shtëpinë e preferuar të pushimeve skoceze të Mbretëreshës ditën e djeshme(8 shtator) kur Elizabeth II u nda nga jeta.

Harry sipas Daily Mail, pritet të kthehet në Windsor me bashkëshorten e tij Meghan Markle e cila nuk shkoi në Balmoral pas njoftimit për vdekjen e monarkes. Në orën 8:28 të mëngjesit Harry ishte ulur i vetëm në pjesën e pasme të një Range Rover ndërsa po largohej nga shtëpia skoceze e familjes mbretërore, ku kishte mbërritur në orën 19:52 të 8 shtatorit. Ai mbërriti në aeroportin e Aberdeen në orën 9:20 të mëngjesit.

Sot bota mban zi për vdekjen e monarkes më jetëgjatë të Britanisë, ndërsa fronin e ka marrë djali i saj Mbreti Charles III. Arkivoli i Mbretëreshës, i mbështjellë në Royal Standard me një kurorë me lulet e saj të preferuara sipër, besohet të jetë vendosur në sallën e ballos të Balmoralit të saj të dashur, ku ajo kalonte çdo verë me Princin e saj të dashur Philip. Dhimbja ishte shkruar në fytyrën e Dukës së Sussex-it pasi ai mbërriti në Skoci 15 minuta pas vdekjes së Madhërisë së Saj. Nuk dihet nëse Meghan dhe Harry do të qëndrojnë në Britaninë e Madhe deri në funeralin shtetëror, që pritet të bëhet të hënën, më 19 shtator, apo do të kthehen në SHBA për të parë Archie dhe Lilibet që tashmë janë larguar prej tyre për një javë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›