E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotografi Tasho në ekspozitën e ATSH-së: Kishte aparaturat më të mira të kohës, nostalgji për bashkëpunimin

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Ekspozita “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, vijon të tërheqë vizitorë, personalitete të medias dhe fotografisë shqiptare, të cilët ndajnë kujtime dhe eksperienca nga bashkëpunimi ndër vite me ATSH-në.

Ndër vizitorët ishte edhe fotografi i njohur Roland Tasho, i cili ndau kujtime nga periudha kur bashkëpunonte ngushtë me ATSH-në, në vitet 1987-1991, kohë kur punonte si fotograf te revista “Ylli”.

Tasho tregon se bashkëpunimi me agjencinë ishte pothuajse i përditshëm.

“Kam nostalgji për kohën që bashkëpunoja me ATSH-në. Kam qenë fotograf tek revista “Ylli”, por filmat dhe furnizimin e merrja nga ATSH-ja, përdorja edhe laboratorin fotografik dhe kisha bashkëpunim pothuajse të përditshëm në atë periudhë, flas për vitet 1987 deri në 1991, kohë kur u mbyll revista “Ylli”. Vija përherë në ATSH kur merrja furnizimin, por njëkohësisht edhe printoja, stampoja”, theksoi Tasho.

Duke u ndalur te teknologjia fotografike e kohës, Tasho hodhi poshtë perceptimin e brezit të ri se fotografët shqiptarë punonin me pajisje të vjetra.

“Brezi i ri nuk e di, thonë që keni pasur aparate të vjetra. Jo, ne kemi pasur aparatet më të mira të kohës, sepse i duhej propagandës kjo pjesë dhe kishim “Asembla” dhe “Linhof”, kishim aparatura shumë të mira, ndërsa filmat i kishim “Kodak”, na vinin nga Perëndimi”, tha Tasho.

Sipas Tashos, puna në atë periudhë nuk mungonte, edhe pse fotografitë përshtateshin sipas kërkesave të sistemit për të ilustruar fusha të ndryshme të jetës në vend.

Ekspozita e ATSH-së “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur prej 9 majit, ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorë vendas dhe të huaj, studiues, historianë, personalitete të artit dhe kulturës, si dhe ish-punonjës të këtij institucioni.

Ekspozita e ATSH-së sjell për publikun një pjesë të rëndësishme të arkivit fotografik dhe historik të agjencisë, duke evidentuar rolin e medias në dokumentimin e ngjarjeve kryesore të vendit ndër vite.

Ekspozita, e hapur në bashkëpunim me DPA, vijon të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalasë së Tiranës.

/k.s/e.r/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›