E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani: Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur vetëm për armiqtë tanë

TEHERAN/ NJU DELHI, 15 maj /ATSH-DPA/- Irani deklaroi sot se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për anijet e vendeve që i konsideron mike.

“Nga këndvështrimi i Teheranit ngushtica nuk është e mbyllur. Veçanërisht jo për vendet mike. Ajo është e mbyllur vetëm për armiqtë tanë”, tha sot ministri iranian, Abbas Araghchi në takimin e ministrave të Jashtëm të BRICS në Nju Delhi.

Araghchi la të kuptohet gjithashtu se kufizimet e vendosura nga marina iraniane mund të hiqen.

Sipas tij, kjo do të ndodhë vetëm nëse përfundon lufta që, sipas Teheranit, u nis nga SHBA-ja dhe lzraeli kundër Iranit në fund të shkurtit.

“Pas kësaj, ne do të garantojmë kalim të sigurt për çdo anije”, tha ministri iranian.

Menjëherë pas shpërthimit të konfliktit, forcat e armatosura iraniane morën kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare kyçe për tregtinë globale të energjisë.

Kërcënimet, kontrollet dhe sulmet ndaj anijeve sollën bllokim pothuajse të plotë të trafikut detar në këtë korridor strategjik.

Si pasojë, çmimet e energjisë dhe karburanteve u rritën ndjeshëm në mbarë botën. Autoritetet iraniane kanë deklaruar gjithashtu se zona është minuar.

Megjithëse Teherani këmbëngul se ngushtica nuk është e bllokuar, në praktikë kompanitë e transportit detar duhet të koordinohen me autoritetet iraniane dhe lejohen të kalojnë vetëm nëpër një korridor pranë brigjeve iraniane.

Sipas drejtuesve iranianë, për këtë kalim kërkohen tarifa të larta, ndërsa ekspertët e së drejtës ndërkombëtare argumentojnë se këto pagesa bien ndesh me të drejtën e kalimit tranzit.

Nga ana tjetër, SHBA-ja vendosi në mesin e prillit një bllokadë detare ndaj Iranit, me synim, mes të tjerash, kufizimin e të ardhurave të vendit nga eksporti i naftës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›