Fotografia, përditshmëria e jetës

Fotografia e cila u realizua në Veronë të Italisë, pikërisht në shtëpinë e Julieta (Xhylieta), ishte fotoja e cila provokoi jurinë në edicionin e gjashtë të konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Fokus” në Fier.
Nita Zeqiri rrëmbeu çmimin e dytë, ndërkohë që çmimi i parë ishte për Eljan Taninin nga Shqipëria dhe i treti për Murat Sayginer nga Turqia. “Ky çmim ka një rendësi të veçantë për mua pasi që Fokus është një ekspozitë ndërkombëtare dhe ka cilësi. Për mua ky çmim është një shtytje për punë më të madhe”, theksoi Zeqiri, ndërkohë që fliste për fotografinë fituese.
Në këtë fotografi janë të paraqitura tri kabina telefonike ku njerëzit mund tu telefonojnë të dashurve të tyre dhe një mur i mbuluar me letra dashurie që kanë shkruar njerëz nga mbarë bota. Mirëpo, tani ato letra nuk gjenden aty pasi që më nuk është e lejueshme të vendosen letra dashurie në mur.
“Është një fotografi artistike bashkëkohore që dokumenton një moment në një vend që nuk është më i njëjti sikurse është në fotografi”, tha ajo.
Këtë vit në edicionin e gjashtë të konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Fokus” në Fier janë paraqitur rreth 160 aplikantë, ku selektorët, të cilët përbëjnë dhe jurinë e aktivitetit Jutta Benzenberg (Gjermani), Suzana Varvarica (Shqipëri) Afrim Spahiu (Kosovë) vendosën të kualifikojnë vetëm 93 prej tyre.
Numri i madh i aplikantëve ishte nga trevat shqipfolëse, të cilëve sivjet iu bashkuan edhe shtetet si Amerika, Gjermania, Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Franca, India, Pakistani, Belgjika, Mali i Zi, Serbia etj.
Mirëpo, Zeqiri, së fundmi, ka rrëmbyer edhe një çmim tjetër, jo më pak rëndësi për të. Ajo është fituese e çmimit të parë në garën e UNFPA “7 Billions Actions Campaign”, këtë herë me një vepër tjetër arti, një video animacion.
Ky është animacioni i parë i Nitës, ndërkohë që fotografinë ajo e cilëson pjesë të përditshme të jetës. “UNFPA ka shpallur konkurs me temën ‘7 Billions Actions Campaign’ se si ne e shohim veten në 7 miliardë njerëz dhe se në çfarë mënyre mund t’i kontribuojmë njerëzimit. Me veprën time mora çmimin e parë si animacioni më i mirë”, tha ajo.
Ajo flet rreth këtij animacioni dhe temës, të cilën e zgjodhi për ta trajtuar, ndonëse për herë të parë, mirëpo e përkushtuar. Animacioni kap një temë sociale që ka të bëjë me planifikimin e familjes.
Përveç tjerash, Zeqiri beson që ky video-animacion është edukativ për të gjitha moshat dhe se mund të ndihmojë që njerëzit të mendojnë më shumë në planifikimin e familjes.