Franca dhe Kanadaja me konsullata në Groenlandë – Dy vendet thellojnë lidhjet dhe partneritetin me ishullin arktik

Kanadaja hapi zyrën konsullore në Groenlandë, një veprim që vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërcënon të marrë kontrollin e ishullin Arktik, ku Shtetet e Bashkuara kanë tashmë konsullatën e tyre.
Zyrtarët kanadezë, përfshirë Ministren e Jashtme Anita Anand dhe Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon udhëtuan për në Nuuk për të inauguruar konsullatën. Kryeministri kanadez Mark Carney është zotuar të rrisë praninë ushtarake dhe të sigurisë në Arktik. Ndërkohë edhe zyrtarët francezë shkuan në Groenlandë për të përuruar konsullatën e tyre.
Franca, ministri i jashtëm i së cilës pritet të vizitojë Groenlanden ditët në vijim, do të jetë vendi i parë nga Bashkimi Evropian që do të hapë një konsullatë të përgjithshme në Groenlandë. “Franca përsërit angazhimin e saj për të respektuar integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”- tha Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë.
Dy vendet po zgjerojnë misionet diplomatike në Groenlandë për të forcuar praninë e tyre në Arktik dhe partneritetin me ishullin autonom të Danimarkës.
/rtsh.al/