E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca digjitalizon veprat letrare

Biblioteka Kombëtare e Francës pat lajmëruar në gusht se është duke u angazhuar në diskutim me Google për digjitalizimin e koleksioneve të saj, pjesë e përpjekjeve nga Google për të digjitalizuar veprat e letërsisë botërore. Kjo ka nxitur zhurmë në mesin e zyrtarëve francezë dhe komunitetit të botuesve këtu dhe diskutimet ishin suspenduar.
“Ne nuk do të lejojmë të na nxjerrin nga trashëgimia jonë për të përfituar një kompani e madhe, pa marrë parasysh sa miqësore, e madhe apo amerikane të jetë,” ka thënë Sarkozy javën e kaluar, më sa duket, duke iu referuar Google.

Paratë e premtuara të hënën do të financojnë një partneritet publik-privat që do të digjitalizojë veprat kulturore të vendit, ka thënë Sarkozy. Mbas gjase ky partneritet mund të përfshijë edhe Google.

“Çështja mbetet e hapur,” ka thënë Bruno Racine, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, në një intervistë telefonike. Ai ka theksuar ‘nevojën e një partneriteti me sektorin privat’ në mënyrë që të sigurohet kapitali i nevojshëm për projektet e mëdha të digjitalizimit. Sipas tij, shpenzimet e digjitalizimit të koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare, e cila përmban mbi 14 milionë libra dhe disa milionë dokumente të tjera, do të arrijnë deri më shumë se 1.5 miliardë dollarë.

Ata që i kanë kundërshtuar diskutimet e Bibliotekës Kombëtare me Google ishin të shqetësuar në radhë të parë me ‘vendin dominues’ të saj në tregun digjital, ka thënë ai.
Ministri francez i Kulturës, Frederic Mitterrand, është takuar javën e kaluar me David C. Drummond, zëvendëspresident dhe zyrtar ligjor në Google, për të shprehur shqetësimet e tij rreth një bashkëpunimi të mundshëm me kompaninë.

Franca për shumë kohë e ka vështruar Google me kujdes. Në vitin 2005, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë kanë bërë të ditur plane për të zhvilluar një makinë kërkuese multimediale që do të quhej Quaero— “Kërkoj,” në latinisht — e parë nga shumica si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj kompanisë. Qeveria franceze gjithashtu e ka nxitur Bashkimin Europian për të ndërmarrë projektin e saj të digjitalizimit të librit.

1.1 miliardë dollarë të premtuar nga Sarkozy janë pjesë e një pakete stimuluese prej 51 miliardë dollarë, të lajmëruara të hënën, që kanë për synim, para se gjithash, universitetet franceze, hulumtuesit, prodhuesit dhe kompanitë e telekomunikimit. Franca do të financojë investimet nëpërmjet huamarrjes qeveritare, përkundër stimulimit të Bashkimit Europian dhe autoritetit financiar të vendit. Borxhi dhe deficiti i Francës aktualisht janë në shkallë rekorde.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›