E Hënë, 2 Nëntor 2026

Franca do të organizojë konferencë për krizën në Liban

Franca do të organizojë një konference ndërkombëtare ministrore për krizën në Liban më 24 tetor, ku do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje politike atje dhe për ndihma humanitare, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, tha Ministria e Jashtme e Francës.

“Synimi i saj do të jetë mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar për t’iu përgjigjur nevojave për mbrojtje dhe ndihmë emergjente për popullin libaneze, si dhe identifikimi i mënyrave për t’i mbështetur institucionet e Libanit, veçanërisht Forcat e Armatosura Libaneze, të cilat janë garantues të stabilitetit të brendshëm të vendit”, tha Ministria në një deklaratë të mërkurën.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Izraeli nuk është ftuar dhe nuk është e qartë nëse përfaqësues të ndryshëm politikë libanezë do të ftohen.

Parisi ka lidhje historike me Libanin dhe është duke punuar me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për arritjen e një armëpushimi në vendin e Lindjes së Mesme.

Bisedimet ngecën në fund të shtatorit, kur Izraeli i bombardoi ashpër rrethinat e Bejrutit, duke e vrarë liderin e kamotshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Më pas, ushtria izraelite nisi ofensiva tokësore në jug dhe jugperëndim të Libanit, duke i detyruar mijëra njerëz të zhvendosen.

Ministria tha se në konferencë do të marrin pjesë partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të Libanit, Kombet e Bashkuara, si dhe partnerë nga shoqëria civile./rel

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›