E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca e Çekia ndalojnë celularët/Ligjet e reja synojnë mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale dhe telefonat në shkolla

Franca dhe Çekia po avancojnë me masa të reja për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale dhe telefonave celularë nga fëmijët. Në Francë, ligjvënësit po përpiqen të arrijnë një kompromis që do të lejojë hyrjen në fuqi të ligjit për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, me nisjen e vitit të ri shkollor në shtator.

Debati mbetet i hapur për platformat që do të përfshihen në këtë ndalim, ndërsa Komisioni Europian ka kërkuar ndryshime, duke vlerësuar se drafti aktual nuk është plotësisht në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Presidenti Emmanuel Macron e ka mbështetur fuqimisht këtë nismë, duke e cilësuar mbrojtjen e fëmijëve si një përparësi. Nëse arrihet një marrëveshje, projektligji pritet të votohet brenda kësaj jave, por nuk mund të hyjë në fuqi para përfundimit të afateve të parashikuara nga ligji europian.

Ndërkohë, edhe Qeveria çeke ka miratuar një projektligj që synon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla duke nisur nga shtatori i vitit 2027, nëse ai miratohet nga parlamenti. Sipas propozimit, telefonat nuk do të lejohen në kopshte, shkolla fillore dhe klasat e ulëta të gjimnazeve, jo vetëm gjatë mësimit, por edhe në pushime, në mensa dhe gjatë aktiviteteve të zhvilluara në ambientet e shkollës.

Projektligji parashikon përjashtime për nxënësit që kanë nevojë për pajisje elektronike për arsye shëndetësore ose për nevoja të veçanta arsimore, si edhe për rastet kur përdorimi i tyre kërkohet për qëllime mësimore. Të dyja nismat synojnë të forcojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe të kufizojnë ndikimin e teknologjisë në jetën e tyre të përditshme.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›