E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Franca në protesta kundër reformës së pensioneve, qeveria e Macron përballet me votë mosbesimi

Qeveria franceze do të përballet me dy vota mosbesimi këtë të hënë (20 mars), pas reformës së pensioneve që ka nxitur prej javësh protesta në të gjithë vendin.

Kryeministrja Elisabeth Borne përdori nenin 49 pika 3 të Kushtetutës për ta shtyrë projektligjin pa votim javën e kaluar. Kjo nxiti që mijëra qytetarë  të dalin në rrugët e Francës në protestë.

Mocionet e mosbesimit janë depozituar në parlament nga deputetët e qendrës dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.

Nëse mocionet e mosbesimit do të kenë sukses, presidenti Emmanuel Macron nuk do të rrezikohej të humbiste punën e tij, por pozicionet e kryeministres Borne dhe qeverisë do të rrezikoheshin.

Macron ose mund të emërojë një qeveri të re ose të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të thërrasë zgjedhje të reja. Ky skenar do të sillte edhe anulimin e projektligjit të reformës së pensioneve, raporton BBC.

Nëse mocionet e mosbesimit rezultojnë të pasuksesshme, projektligji për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç do të bëhet ligj.

Macron ka argumentuar se popullsia e moshuar e Francës e bën skemën aktuale të pensioneve të papërballueshme.

Aleatët e Macron janë në pakicë në dhomën e ulët të Asamblesë Kombëtare, por që mocionet e mosbesimit të kenë sukses, e gjithë opozita duhet të bashkohet.

Vendimi për reformën e pensioneve ka bërë që protestuesit të përplasen me policinë dhe me mijëra njerëz ndezën zjarre në të gjithë vendin dhe disa hodhën fishekzjarrë ndaj policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›