E Enjte, 5 Nëntor 2026

Franca nuk do të imponojë shtetrrethim natën e Vitit të Ri, por shtrëngon kërkesat e hyrjes në mes të janarit

Kryeministri i Francës, Jean Castex, ka bërë të ditur se vendi i tij nuk do të imponojë asnjë shtetrrethim në natën e Vitit të Ri, duke i lejuar njerëzit të festojnë në mënyrë të lirë, por duke filluar nga mesi i janarit do të shtrëngojë kufizimet për personat e pa vaksinuar që hyjnë në vende publike.

Në një adresim para kombit, pas një takimi urgjent të mbrojtjes shëndetësore dy ditë pasi u raportua një rekord prej 100 mijë rastesh, kryeministri Castex njoftoi disa masa për të frenuar rritjen e rasteve me COVID-19 dhe me llojin e ri Omicron.

Masat kryesore përfshijnë projektligjin e certifikatës së vaksinimit, që u miratua nga kabineti. Projektligji nga 15 janari do të zëvendësojë lejen aktuale shëndetësore për hyrjen në restorante, kafene, vende kulturore, kinema, muze.

Nëse projektligji miratohet nga parlamenti, hyrja në vendet ku kërkohet certifikata do të lejohet vetëm me paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit, ndërsa siç tha kryeministri, rezultati negativ i testit COVID-19 nuk do të pranohet.

Në Francë ka rreth 5 milionë persona të pa vaksinuar që janë kundër marrjes së vaksinës COVID-19.

Kufizimet e tjera që do të hyjnë në fuqi të hënën e ardhshme përfshijnë kufizime në tubime të mëdha, respektivisht në hapësira të hapura deri në 5 mijë persona dhe në hapësira të brendshme deri në 2 mijë persona. Po ashtu do të ndalohet konsumimi i pijeve dhe ushqimeve në transportin publik, sallonet e filmave dhe në ambientet sportive.

Castex u bëri thirrje njerëzve që të marrin dozën përforcuese të vaksinës për të parandaluar shtrimet në spital.

Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, po ashtu paralajmëroi se rastet ditore do të tejkalojnë 250 mijë në fillim të muajit janar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›