E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca përshëndet marrëveshjen SHBA-Rusi

Presidenti i Francës, Francois Hollande, e ka përshkruar marrëveshjen SHBA-Rusi për armët kimike të Sirisë si një hap të rëndësishëm drejt objektivit të madh, atij të zgjidhjes politike të luftës civile në Siri.

Mundësia e ndërhyrjes ushtarake duhet të qëndrojë, përndryshe nuk do të ketë presion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe hapi i radhës duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri, theksoi Hollande.

Edhe Damasku e konsideron marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë një fitore që shmang luftën.

Ministri sirian i Pajtimit, Ali Hajdar, i tha agjencisë ruse të lajmeve, Ria Novosti, se marrëveshja është e mirëpritur.

Në njërën anë ndihmon Sirinë të dalë nga kjo krizë – tha ai, – dhe në tjetrën shmang luftën kundër Sirisë, duke i penguar ata që kërkonin ta nisnin, pa pasur argumentet për ta bërë. Kjo është një fitore, që Siria arriti në sajë të miqve rusë.

Pakti u bë publik të shtunën, pas tre ditë bisedimesh mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri,dhe ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e mirëpriti marrëveshjen e arritur me Rusinë, që sanksionon dorëzimin dhe shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë deri në mesin e 2014-s.Obama e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm përpara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›