Franca ratifikon traktatin fiskal europian
Franca sot u bë shteti i 14-të që ratifikoi Traktatin Fiskal Evropian, pas miratimit të një projektligji nga Senati, duke e bërë këtë pakt ligj kombëtar.
Ky projektligj, i cili e detyron Francën të shkojë drejt një disipline buxhetore strikte, u miratua me 306 vota për dhe 32 kundër.
Asambleja Kombëtare, që është dhoma e ulët e parlamentit, e kishte aprovuar këtë projektligj të martën.
Franca është shteti i dhjetë i Eurozonës që e ka miratuar këtë Traktat të sponzoruar nga Gjermania, i cili u kërkon shteteve që ta shtojnë një “rregull të artë” në buxhetet e ekuilibruara të ligjeve të tyre kombëtare.