E Shtunë, 31 Tetor 2026

France 3 shperthime te reja ne Tuluze

Tre shpërthime të reja janë dëgjuar para pak çastesh pranë shtëpisë ku ndodhet vrasësi i 7 personave në Tuluzë të Francës.

Gazeta “Le Monde” njofton në edicionin e saj online se shpërthimet kanë qenë të ngjashme me ato të granatave të përdorura gjatë natës.

Agjencia “Franceinfo” thotë ndërkohë se tre shpërthimet kanë qenë “shumë të fuqishme” dhe kanë bërë më shumë zhurmë se ato që shpërthyen gjatë natës.

Ministri i Brendshëm francez ndodhet në vendin e ngjarjes. Mediat franceze thonë se tre shpërthimet kanë ndodhur në distanca të shkurtra kohore.

Tuluz, banorët të shqetësuar

Ndërkohë, banorët në Tuluz shprehen të dëshpëruar dhe të trishtuar nga vrasjet e fundit. Sarah, një banore e qytetit, shkruan në rrjetin social:

“Është një tragjedi ajo që u ka ndodhur atyre ushtarëve dhe atyre fëmijëve të pafajshëm. Për mua nuk ka rëndësi nëse Merah do të mbahet në apartamentin e tij për gjashtë orë më shumë apo 6 ditë më shumë, pasi përsa kohë ai qendron atje nuk mund të marrë më jetë. Ai do të dalë para drejtësisë, por ndërkohë rrugët në Tuluz janë pak më të sigurta”.

Ndërsa Guillaume, edhe ky banor i qytetit, thotë: “Të gjithë në zyrën time kanë ndjekur lajmet që prej ditës së djeshme. Ne shohim një prani të madhe të policisë nëpër rrugë dhe dëgjojmë shumë sirena policie. Mendoj se forcat speciale nuk janë të sigurta nëse apartamenti i Mohammed është i sigurt apo jo. Ai mund të jetë i mbushur me eksploziv dhe zona është shumë e populluar, prandaj ka rrezik që të vriten civilët”.

Katër shpërthime në orët e para të mëngjesit

Katër shpërthime dhe të disa të shtëna armësh u dëgjuan gjatë orëve të para të mëngjesit në banesën ku mbahet i rrethuar i dyshuari për shtatë vrasje.

Menjëherë më pas një alarm i rremë për nisjen e operacionit të kapjes së 23-vjeçarit, Muahmed Merah, u përhap, por gjithcka u hodh poshtë pak caste më vonë nga një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Brendshme franceze, sipas të cilës shpërthimet ishin një strategji për të çorientuar dhe frikësuar objektivin.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve “Ansa”, njëri nga shpërthimet u përdor për të hedhur poshtë derën e apratamentit ku Merah, me origjinë algjeriane, është rrethuar që prej mëngjesit të së mërkurës nga forcat e policisë franceze. Ndërsa tre shpërthimet e tjera ishin bomba tymëse për t’i vështirësuar pamjen të dyshuarit.    

Qëllimi i forcave franceze është kapja i gjallë e objektivit, kështu që edhe pse më parë u fol për nisjen e sulmit, bëhet e ditur nga zyrtarët se ky ishte një hap i parë, ndërsa negociatat me Merah kanë rifilluar. Merah dyshohet për vrasjen e katër hebrenjve dhe tre ushtarëve francezë në Tuluzë gjatë kësaj jave.     

Muahmed Merah, me origjinë algjeriane konfirmoi gjatë negociatave se është stërvitur nga Al Kaeda dhe nuk dukej i penduar për krimet e kryera deri në atë moment, madje ishte duke planifikuar të tjera.

Burime të policisë franceze më herët konfirmuan se ai është i mirëarmatosur, teksa brenda apartamentit të tij ka një Kallashnikov dhe disa armë të tjera automatike, ndërsa nuk përjashtohen edhe granatat.

Sarkozy: Vrasësi do të vriste sërish

“Vrasësi në Tuluz kishte në plan të vriste sërish”. Kështu deklaroi të mërkurën presidenti francez, Nicolas Sarkozy duke iu drejtuar komuniteteve fetare.

Sarkozy mbërriti në kazermën “Perignon” të Tuluzës, që ndodhet pranë ndërtesës ku është mbyllur autori i masakrave.

Presidenti ishte aty pikërisht për t’u takuar me policët përgjegjës të kazermës, si dhe me disa përfaqësues të komuniteteve fetare.

Përpara se të mbërrinte atje, Sarkozy ishte në spitalin e Tuluzës, ku janë shtruar një ushtarak dhe një nxënës i shkollës hebraike që u plagosën nga atentatori.

Ndërsa mëngjesin e së mërkurës, kreu i shtetit mblodhi në Paris disa eksponentë të komunitetit hebre dhe atij mysliman, për t’u treguar se, “terrorizmi nuk do të arrijë të ndajë komunitetin tonë kombëtar”.

Vrasësi: Do shoh vdekjen duke buzëqeshur

“Ose do të përfundoj në burg dhe kështu mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”. Kështu ka thënë personi i dyshuar si autori i vrasjeve në Tuluz gjatë një bisede telefonike me një gazetare të televizionit “France 24”, Ebba Kalondo.

Telefonatën në fjalë hetuesit e kanë marrë shumë seriozisht, duke parë detajet e masakrave të referuara nga vrasësi për kryeredaktoren e transmetuesit francez.

“Gjatë bisedës ai ishte i qetë, fliste një frëngjishte të mirë dhe i shoqëronte frazat e tij me shprehje në arabisht”, ka treguar gazetarja në faqen e internetit të “France 24”.

Sipas Kalondo, ai ka dhënë informacione që diheshin vetëm nga ai dhe nga policia, si për shembull numrin e plumbave të përdorur në Tuluz dhe Montauban, llojin e armëve të përdorura dhe disa elementë të braktisur në vendin e ngjarjes.

I dyshuari ka thënë gjithashtu se është anëtar i Al Kaedës në Francë, duke paralajmëruar se: “ky është vetëm fillimi i një serie atentatesh të reja që do të kryhen së shpejti në Paris, Lion dhe Marsejë”.

“Ai tha se ishte kundër ligjit të burkës që në Francë është në fuqi prej vitit 2011 dhe se luftonte kundër operacioneve franceze në Afganistan”, ka treguar më tej gazetarja.

“Hebrejtë kanë vrarë vëllezërit tanë dhe motrat tona në Palestinë”, citohet të ketë thënë vrasësi, i cili ka njoftuar publikimin e videove të masakrave në rrjet.

Pyetjes së gazetares se çfarë do të mund të ndalte vrasjet, ai i është përgjigjur: “Ose do të shkoj në burg dhe kështu do të mund të flas, ose do të shoh vdekjen duke i buzëqeshur”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›