Francë, peticion online kundër Carla Brunit

Një peticion online që i kërkon bashkëshortes së ish-presidentit francez, Carla Bruni-Sarkozy, rimbursimin e shumës prej 410 000 eurosh të shpenzuara nga shteti për ndërtimin e faqes zyrtare të internetit për fondacionin e saj, mblodhi sot më shumë se 62 000 firma, njoftoi faqja Change.org.
Nismëtari i peticionit, Nicolas Bousquet, i prezantuar si ndërtues i faqeve të internetit nga Change.org, akuzoi ish-zonjën e parë për përfitimin e parave të shtetit për të ndërtuar faqen e fondacionit carlabrunisarkozy.org.
Shkas për këto polemika u bë një raport i fundit i Gjykatës së Auditit për administrimin e presidencës, në kapitullin e shpenzimeve për komunikim të të cilit përmendej financimi nga buxheti presidencial i faqes së internetit të ish-zonjës së parë.
"Që prej zgjedhjes së presidentit François Hollande prej 15 muajsh, kjo faqe nuk ekziston më dhe është zëvendësuar me një rubrikë në emër të zonjës së parë në faqen zyrtare të presidencës", citon raporti i datës 15 korrik i Gjykatës së Auditit.
Raporti thekson se gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy, faqja e ish-zonjës së parë i kushtoi buxhetit presidencial 330 000 euro në vitin 2011 dhe 80 000 euro në vitin 2012./Indeksonline/