Francezi, djalë i Hitlerit?

Francezi, Jean-Marie Loret, qysh para 30 vjetësh pohonte se babai i tij biologjik ishte diktatori gjerman, Adolf Hitler. Mirëpo, ai nuk mundi ta dëshmonte këtë gjë deri para vdekjes, shkruan gazeta ‘The Huffington Post’.
"Unë jam djali i Hitlerit”, i kishte thënë Jean-Marie Loret avokatit parisien Francois Gibault, në vitin 1979.
Javën e kaluar, revista franceze ‘LePoint’ publikoi një artikull të korrigjuar për rrëfimin e mahnitshëm të Loret.
Sipas ‘LePoint’, Adolf Hitler e kishte takuar nënën e Loret, 16-vjeçaren Charlotte Lobjoie në Francë, në vitin 1917, ku po qëndronte gjatë pushimit nga fronti gjerman në Picardy.
Në libër Lobjoie kujton takimet me ushtarin gjerman, në kohën kur ajo, bashkë me disa gra të tjera, po e kositnin barin e thatë të arave.
"Ai mbante me vete njëfarë kartoni, dhe dukej sikur po pikturonte. Ushtari iu dukej interesant të gjitha grave, dhe ato donin të dinin se ç’po vizatonte. Më zgjodhën mua që t’i afrohesha”, citohet ajo në libër.
Mirëpo, me sa duket, një natë çifti i hyri punës pak më thellë dhe, si rrjedhojë, në mars të vitit 1918 lind Jean-Marie. Djaloshi më vonë u adoptua, ndërkaq e ëma e zbuloi identitetin e babait të tij vetëm pak ditë para se të vdiste, në fillimvitet e 50’a.
Ajo në libër tregon edhe për atë se si janë zhvilluar marrëdhëniet me Hitlerin, i cili e shëtiste gjatë nëpër shëtitore, edhe pse – siç e pranon Lobjoie - nuk kanë pasur ndonjë temë të caktuar bisede, ngase nuk dinte gjermanisht.
Ndërkohë, menjëherë pas vdekjes së nënës, në tavanin e shtëpisë së tij Loret ka gjetur disa fotografi, të cilat supozon se janë të nënshkruara nga Hitleri.
Lidhur me të gjitha përvojat e tij jetësore, ai pastaj e ka shkruar librin me titull “Emri i Babait Tënd Ishte Hitler”.
Sipas ‘LePoint’, dëshmitë e mbledhura nga Jean-Marie Loret duket se i mbështesin pretendimet e francezit. Një studim i bërë nga Universiteti në Heidelberg sugjeron se Hitleri dhe Loret kanë grup të njëjtë të gjakut. Një studim tjetër ndërkaq dëshmon se edhe dorëshkrimet e këtyre të dyve janë të ngjashme.
Sipas gazetës britanike ‘The Telegraph’, libri i Jean-Marie Loret, “Your Father's Name Was Hitler”, do të ripublikohet me qëllim që në të inkorporohen dëshmitë dhe pohimet e tij.
Përndryshe, diktator fashist gjerman, Adolf Hitler, erdhi në pushtet në vitin 1933. Ai e udhëhoqi Gjermaninë deri në vitin 1945, përfshirë këtu gjithë periudhën e Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e së cilës humbën jetën me miliona njerëz.
Gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore, Hitleri ishte tetar në ushtrinë gjermane, kur edhe luftoi nëpër hendeqet franceze. Në vitin 1945, pak para se të bënte vetëvrasje, Hitleri u martua me Eva Braun. Çifti nuk pati asnjë fëmijë.