Frank O’Connor dhe Kompleksi i tij i Edipit / Sokol Çunga, teoria frojdiane në tregimet e shkrimtarit irlandez

Ka ardhur në shqip libri “Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera” të shkrimtarit Frank O’Connor. Përkthyesi Sokol Çunga, në një bisedë me Andri Xhahun në emisionin “Në radio”, zbulon më shumë nga ky vëllim me tregime. “Është një përmbledhje e tregimeve bazuar mbi ato që ka botuar vetë autori në gjallje, fillimisht në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2005 kemi këtë përmbledhje nga Julian Barnes. Me autoritetin e një shkrimtari jo pak të shquar mori përsipër të bënte këtë ripropozim të Frank O’Connor-it për lexuesin britanik.”
Libri përmban 30 tregime nga më shumë se 200 të tilla që ka shkruar autori. “Pjesa më e madhe e tyre japin mundësinë për t’i interpretuar sipas teorisë frojdiane të Kompleksit të Edipit, pra lidhja e individit me atë që është amësore apo atësore, ai kompleks i zgjidhur ose i lidhur, i mbetur ende pezull.”
Tregimet paraqesin jetën e zakonshme, histori të përditshmërisë, por që ngrenë pikëpyetje të rëndësishme mbi fëmijërinë, martesën, luftën, fenë, politikën, moralin dhe jetën. “Këto tregime janë një lloj shpërfaqjeje jo me shumë detaje të Irlandës së gjysmës së parë të shekullit 20. Irlanda e asaj kohe pasqyrohet përmes jetës së individëve. Makrohistoria është si një sfond i përgjithshëm ku zhvillohen ngjarjet e vogla mes njerëzve.”
Një pjesë e ngjarjeve kanë si sfond gjeografik vendlindjen e tij, Korkun. “O’Connor-i ka lindur në vitin 1903 në Kork, në një provincë të Irlandës. Aty, një pjesë e mirë e tregimeve të tij marrin ushqimin, zhvillohen dhe trajtohen nga lindja deri në vdekje. Autori e thotë diku në një intervistë se edhe kur ngjarja ka ndodhur në SHBA, ai merr fabulën dhe e vendos në Kork.”
Frank O’Connor-i ka jetuar një pjesë të jetës së tij në Irlandë dhe më pas pjesën më prodhimtare e ka zhvilluar në SHBA. Ka qenë një shkrimtar mjaft i angazhuar. “Si i ri irlandez, ai jetonte në kohën e luftrave civile mes irlandezëve pro Britanisë së Madhe dhe irlandezëve Republikanë. U pozicionua me Republikanët. Vinte në dukje gabimet e tyre karshi politikave që përdornin dhe luftës së armatosur.”
Për Çungën, O’Connor-i është një shkrimtar i përveçëm. “Ai rindërtoi një formë të tregimit që ishte shumë e rrahur në shekullin e 19-të, por nisi të mos trajtohej në shekullin e 20-të. Në fillim të këtij shekulli preferenca e autorëve që shkruajnë prozë drejtohej nga proza e gjatë, ose nga gazetaria dhe eseja. Frank O’Connor-i është autor i prozës së shkurtër, i cili u shqua jo vetëm në kohën kur shkroi por vazhdon të mbeten një pikë e rëndësishme e historisë së letërsisë së Irlandës dhe asaj botërore.”
/rtsh.al/