Fratini: ENEL në Shqipëri për energjinë bërthamore
TIRANE- Ministri i Jashtëm italian, Franco Fratini, në intervistën e tij dhënë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në News 24, flet më gjatë për projektin italian për ndërtimin në Shqipëri të një centrali bërthamor. Ai shpjegon se ENEL-i, një nga kompanitë më të mëdha italiane, edhe pse e shmangur paska nga tregu energjetik i Shqipërisë, është e interesuar në projekte të tilla. “Ne besojmë se e ardhmja e energjisë është ajo bërthamore e pastër, bërthamore e gjeneratës së fundit. Edhe në këtë, ENEL-i është mjaft e interesuar”, - shprehet ai në këtë intervistë. Më tej, Fratini shprehet se për këtë projekt të madh, hapin e pare i takon ta hedhë qeveria shqiptare. Më tej, ministri i Jashtëm italian rithekson mbështetjen e qeverisë italiane për qeverinë dhe për reformat që ka marrë përsipër t’i realizojë.
I nderuar zoti Fratini, kur ju keni qenë zv/president i Komisionit Europian, keni premtuar se shqiptarët brenda semestrit të parë të vitit 2009, do të kishin mundësinë të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen. Në situatën e re të krijuar pas asaj që ndodhi me Traktatin e Lisbonës, ky premtim është ende i vlefshëm?
Unë besoj se po. Ky është një angazhim që i detyrohet rezultateve që Shqipëria ka realizuar, duke nisur nga futja e pasaportave të reja biometrike. Një bashkëpunim më i madh në luftën kundër krimit të organizuar, një mbrojtje më të mirë të kufijve me jashtë. Kjo është e pavarur nga hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës. Ndaj unë besoj se negociatat duhet të vazhdojnë dhe unë besoj se do të jetë e mundur ose të paktën e realizueshme, që para mbarimit të muajit qershor 2009, kur mbaron mandati i Komisionit Barroso, qytetarët shqiptarë të kenë më në fund të drejtën të qarkullojnë pa viza individuale.
Kjo është për sa i përket këndvështrimit teknik. Por nga ana tjetër kemi dhe vullnetin e vendeve europiane, te të cilët vazhdon të ekzistojë fobia ndaj ekstrakomunitarëve, fobi që vazhdon të rritet.
Sigurisht. Kjo është e vërtetë, por unë besoj se komuniteti i shqiptarëve nuk shikohet më si një rrezik. Sigurisht, një vend si Italia në të cilin ndodhen 400 mijë punëtorë shqiptarë, ka arritur në përfundimin se këta persona janë sot një mundësi e mirë. Është vetëm një përqindje shumë e vogël e shqiptarëve që bëjnë shkelje të ligjit. Ndaj unë nuk besoj se duhet të ekzistojë kjo frikë dhe jam i bindur se liberalizimi i vizave do të ishte më shumë pozitiv sesa negativ.
Pasaportat biometrike, janë një nga dy kushtet. Kushti tjetër janë reformat që duhet të bëjë qeveria Berisha. Ju jeni optimist për sa i përket kësaj çështjeje?
Unë jam optimist. Kam folur me Kryeministrin, me Presidentin e Republikës si dhe me Kryetaren e Parlamentit. Një reformë e rëndësishme është ajo e drejtësisë. Unë besoj se kjo reformë mund të aprovohet nga Parlamenti shqiptar gjatë muajve të ardhshëm. Dhe unë uroj shumë që të aprovohet, duke gjetur një akord mes maxhorancës dhe opozitës.
Ju folët për reformën në drejtësi që duhet të bëjë politika shqiptare, por kjo reformë e nisur nga qeveria ka krijuar shumë probleme. Ka grupe interesi, p.sh. të gjithë gjykatësit, prokurorët si dhe vetë opozita, që janë kundër. Ky është, le të themi, një konflikt interesi apo është vullnet i qeverisë për të ndërhyrë në pushtetin gjyqësor?
Kini parasysh se kur do të reformosh një sistem kaq të madh si ai gjyqësor, ekzistojnë gjithmonë ata që kanë frikë nga reforma dhe që preferojnë të mos reformojnë asgjë. Unë besoj se duhet të reformohet ky sistem dhe ja se në çfarë drejtimi. Së pari, duke rikonfirmuar parimin e pavarësisë së gjykatësve. Por në radhë të dytë, duke përcaktuar qartë se pranë pavarësisë është dhe parimi i përgjegjësisë. Unë besoj se asnjë funksionar i shtetit, asnjë gjykatës, asnjë prokuror nuk mund të jetë mbi ligjin. Ndaj ligji duhet të jetë kriteri të cilit i referohemi, ndaj gjykatësit duhet të kuptojnë se është në interesin e tyre, në interesin e pavarësisë së tyre, që të ekzistojë principi i përgjegjësisë. Kjo duhet bërë me mbështetjen e opozitës, kjo është e qartë. Dhe kjo është ajo që qeveria Berisha, besoj se do të bëjë me sinqeritet.
Opozita ka sulmuar pikat themelore të së ashtuquajturës reformë në drejtësi, që Berisha ka nisur. Nëse opozita do të thotë jo, ju çfarë do të thoshit?
Unë besoj….
Që qeveria ka të drejtë?
Por unë besoj se qeveria, e cila ka marrë mandatin nga shtetasit e saj, që ka fituar zgjedhjet demokratike, ka të drejtë të imponojë reforma. Opozita ka të drejtën të thotë se ku nuk është dakord. Por duhet të them se takimi im me zonjën kryetare të Parlamentit, ndodhi në praninë e dy zv/kryetarëve të Parlamentit, njëri nga të dy është eksponent i Partisë Socialiste dhe të gjithë më kanë thënë se ekziston një vullnet për të gjetur një akord. Cili akord do të gjendet, nuk varet nga unë për ta thënë, por është në interesin e Parlamentit shqiptar.
Gjyqësori gjendet prej disa muajsh nën presionin e qeverisë. E thotë këtë opozita dhe faktorët e tjerë. Dhe kjo ka ndodhur pasi gjyqësori ka nisur hetimet për disa ministra dhe për disa funksionarë të tjerë të lartë që janë akuzuar për korrupsion. Ju çfarë do t’i sugjeronit Berishës, duke pasur parasysh se pavarësia e gjyqësorit është një nga kushtet për integrimin në strukturat euroatlantike?
Unë besoj se pavarësia e gjyqësorit është një nga parimet e shtetit demokratik, ndaj është e qartë që të gjitha reformat, të cilitdo vend që do të bëhet një vend europian, duhet të garantojnë pavarësinë e gjykatave. Besoj se ky është një parim themelor. Gjatë takimeve të mia me kreun e shtetit, me Kryeministrin Berisha kam marrë konfirmimin që ky objektiv i pavarësisë së gjykatave do të respektohet.
Një javë më parë, këtu në Tiranë të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje qeverisë të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos ndërhyjë në pushtetet e tjera që janë të pavarura, në bazë të Kushtetutës. Kjo sjellje, le të themi një mbështetje pa kushte për qeverinë Berisha, është një rast i veçantë dhe nuk përkon me reagimin e vendeve të tjera që janë mosbesues.
Unë besoj se qeveria Berisha meriton mbështetje, sepse është duke realizuar një proces reformash shumë të rëndësishme. Unë besoj se meriton mbështetje, sepse është angazhuar të garantojnë pavarësinë e gjyqësorit. Por ne nuk e njohim ligjin që do të adoptohet, nuk e njohim ligjin që do të votohet nga Parlamenti. Kur ligji të votohet, do ta vlerësojmë. Unë për momentin kam fiksuar një objektiv, objektivi duhet të jetë reformimi i sistemit gjyqësor, që përcakton se gjykatësit si çdo shtetas tjetër duhet të përgjigjen për shkeljet e mundshme të ligjit që mund të kenë bërë. Por në të njëjtën kohë, janë të pavarur ndaj qeverisë. Këto janë parimet e mia: Pavarësi dhe përgjegjësi. Rezultati nuk varet nga unë, varet nga Parlamenti shqiptar.
Flasim tani për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Në cilin stad, në cilin nivel janë?
Ekziston një bashkëpunim i mirë. Ne si italianë, jemi partneri i parë ekonomik dhe tregtar për Shqipërinë. Duam ta konfirmojmë dhe të përmirësojmë këtë pozitë. Sot kemi firmosur 5 marrëveshje të rëndësishme italo-shqiptare. Këto marrëveshje përfshijnë bashkëpunimin ekonomik, mbështetjen ndaj sipërmarrjeve të vogla, realizimin e një sistemi të prodhimit të energjisë elektrike. Janë shumë sektorë, ku ne kemi shumë interesa. Mund të them se investuesit tanë, sipërmarrësit italianë janë shumë të interesuar në katër sektorë: energjia, infrastrukturat, turizmi dhe agrikultura.
Le të flasim tani për energjinë. ENEL-i është prej shumë kohësh, prej gati 30 vitesh në Shqipëri. Të gjitha qeveritë italiane e kanë ndihmuar shumë Shqipërinë. Por në situatën kur sistemi energjetik shqiptar po privatizohet, shohim se ENEL është spostuar. Si e shpjegoni juve këtë gjë?
Ne duam që ENEL-i të kthehet të jetë një ndërlidhës i rëndësishëm në Shqipëri. Ne duam që ENEL-i të jetë i pranishëm, të vazhdojë të investojë dhe të marrë pjesë në tenderat e rëndësishëm për realizimin e centraleve bërthamore. Ne besojmë se e ardhmja e energjisë është ajo bërthamore e pastër, bërthamore e gjeneratës së fundit. Edhe në këtë ENEL është mjaft e interesuar.
Ju keni biseduar me Berishën për sa i përket energjisë bërthamore?
Sigurisht po, dhe e kemi garantuar për interesin italian, me kushtin që i ka vënë vetes dhe qeveria shqiptare, që synon të realizojë që të ndërtohen centrale të sigurt në profilin e ruajtjes së ambientit, sepse do të ndërtohen në bazë të teknologjive të fundit më moderne, si ato që përdorin p.sh, fqinjët tanë francezë.
Biseda për sa i përket energjisë bërthamore, ishte vetëm në linjën e vullnetit të mirë apo ishte diçka konkrete?
Jo, ne kemi thënë se nëse qeveria shqiptare do të ketë propozime konkrete për t’i ofruar një bashkëpunim ENEL-it, ENEL-i do ta studiojë me shumë interes. Me fjalë të tjera, ne jemi të interesuar për një bashkëpunim me Shqipërinë në këtë fushë.
Pra, i takon qeverisë shqiptare të bëjë hapin e parë?
Ne duhet të kuptojmë se cilat janë zonat konkrete në territorin shqiptar ku është e mundur të punohet për një central bërthamor, cila është fuqia e mundshme që mund të angazhohet dhe cilat janë mekanizmat për ta transportuar një pjesë të energjisë nga Shqipëria në Itali. E dimë se distanca mes dy vendeve tona është e vogël dhe me kabllo nënujorë, energjia mund të transportohet lehtësisht në Itali.
Një central bërthamor në Shqipëri është një gjë e sigurt? Po të kemi parasysh se 6 muaj më parë ka ndodhur një tragjedi, nuk e di nëse ju e dini apo jo, ku kanë humbur jetën 26 persona. Dhe kjo tragjedi ka ndodhur afër Tiranës, afër aeroportit të Rinasit, ku bëheshin demontime.
Po, ne nuk jemi duke folur për teknologji antike, ne jemi duke folur për teknologji të gjeneratës së fundit. Ekzistojnë modele të centraleve që janë absolutisht të sigurta. Të gjithë e dinë, se miqtë tanë francezë kanë më shumë se 60 centrale bërthamore që funksionojnë në Francë. Dhe shumë nga këta centrale, janë të gjeneratës së fundit. Ndaj ne duam një teknologji si ajo.
Por siguria në Francë është e njëjtë me sigurinë në Shqipëri?
Sigurisht po, nëse ne do të dimë të përdorim të njëjtin tip teknologjie, do të dimë të realizojmë centrale me të vërtetë të sigurt dhe është e qartë se ENEL-i nuk mund të investojë në një central, nëse nuk ekziston garancia e sigurisë së plotë.
Cilat do të jenë fushat e tjera ku do të përqendrohet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona?
Ne mendojmë dhe për një bashkëpunim në fushën e infrastrukturës. Mendojmë për Korridorin 8, që është një korridor i madh transeuropian që i intereson sigurisht Shqipërisë, ashtu si i intereson dhe Bullgarisë, i intereson Maqedonisë. Është ky një interes që ne mund ta ndajmë mes vendeve europiane dhe vendeve që do të bëhen europiane, si p.sh, Shqipëria. Pastaj, sigurisht sektori i agrikulturës. Ne jemi duke organizuar një vizitë të ministrit italian të agrikulturës këtu në Shqipëri. Italia ka një traditë të madhe për prodhimet bujqësore, për teknologjitë dhe sigurisht që mund të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë.
Le të flasim për Korridorin 8, të paraqitur besoj 10 vjet më parë nga Prodi. Por deri tani është vetëm një shprehje e vullnetit të mirë. Pse deri më tash është vetëm një gjë e tillë, pse nuk ka filluar të jetë një realitet?
Sepse kanë munguar financimet. Është një problem që Europa ka përpara. Ne kemi arritur në konkluzionin se Korridori 8, si p.sh, Korridori 5, janë infrastruktura të mëdha transeuropiane. Tani duhet të gjejmë financimet. Qeveria italiane ka bërë një propozim, ka sugjeruar të krijohet një fond i madh europian që të ketë të paktën 50 miliardë euro. Një shumë kjo shumë e madhe për të financuar infrastrukturat që Europa konsideron të interesit të madh europian. Mes tyre është me siguri Korridori 8. Kështu që duhet të vëmë në lëvizje një mekanizëm që të na lejojë të marrim financime dhe të bëjmë që të nisë investimi.
I nderuar Fratini, kur ju ishit në Bruksel, çfarë shikonit te Korridori 8, sepse nuk ishte ndër prioritetet e Komisionit?
Nuk ishte ndër prioritetet, sepse për fat të keq këto janë të gjitha infrastruktura shumë të kushtueshme dhe nuk ka shumë fonde. Në këto kushte i është dhënë prioritet një infrastrukture që është në qendër të Europës. Korridori 5, që shkon nga Spanja, kalon nëpër Trieste dhe përfundon në Ukrainë. Por tani është momenti të niset një tjetër korridor i madh, që është Korridori 8, që shkon nga Jugu drejt Veriut. Është një zgjedhje prioritetesh. Por edhe Korridori 8 kalon nëpër pjesën ballkanike të gadishullit juglindor të Bashkimit Europian. Atëherë, të gjithë këta korridore, me një renditje prioriteti duhet të realizohen.
Keni parë një lobing anti-korridori 8 në Bruksel? Le të jemi më të qartë, një lobing të organizuar nga Greqia?
Jo, me thënë të drejtën, jo.
Ju keni folur gjatë kësaj vizite në Shqipëri, edhe gjatë kësaj interviste për raportet e shkëlqyera që keni me qeverinë e Tiranës. Por nëse do të ndodhte një rotacion politik, do të ndryshonin raportet me qeverinë e Tiranës, p.sh, nëse nuk do të jetë më një qeveri e së djathtës, por një qeveri e së majtës?
Shikoni, ne kemi një raport special të shkëlqyer me këtë qeveri, por kemi dhe një miqësi mes dy popujve tanë. Dhe miqësia mes popujve nuk varet nga qeveritë. Ne kemi si ndërlidhës qeverinë që është tani, por kemi një parim të madh, atë të respektimit të vullnetit të shqiptarëve që do të vendosin në momentin e zgjedhjeve.
Një pyetje të fundit, nëse Ju më lejoni të pyes për Kosovën... Cila është e ardhmja e saj? Procesi i njohjes nga vendet e tjera është një proces që ka ndaluar apo do të vazhdojë, dhe Kosova do të ketë vendin e saj në organizmin e OKB-së?
Unë besoj se kjo rrugë do të varet nga aftësia e Kosovës të tregojë, të përparojë, nëse do të dijë të bëjë reforma dhe të marrë pjesë në mënyrë pozitive në mbrojtjen e minorancave që janë brenda territorit të saj. Unë kam takuar në Romë, disa ditë më parë, kryeministrin e Kosovës, kryeministrin Thaçi dhe atij i kam thënë se mundësia për t’u njohur siç ndodhi kohët e fundit nga ana e Emirateve Arabe të Bashkuara, nga ana e Maqedonisë, e Malit të Zi, kjo mundësi është e lidhur me faktin që Kosova duhet të veprojë me shumë ekuilibër, jo kundër Serbisë, por për stabilitetin e rajonit. Nëse kjo do të ndodhë, unë besoj se Kosova do të ecë përpara.
Për sa i përket Kosovës, Serbia çfarë duhet të bëjë?
Serbia, sipas mendimit tim duhet të ndihmojë në rrugën për vendosjen e misionit të Bashkimit Europian, EULEX. Unë kam folur me presidentin Tadiç dhe mora nga ana e tij vullnetin për të bashkëpunuar, gjë të cilën e kam vlerësuar shumë.
(s.g/BalkanWeb)