E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Aksionet e shtetit, me letra me vlerë

Nga Bashkim Kopliku
Shteti po përgatitet të shesë aksionet e tija në kompanitë e mëdha: mirë po ia bën. Por kjo duhet shoqëruar me shitjen e tyre me letra me vlerë: mbase dhe 100% me letra me vlerë.Çdo veprim i mirë i bërë nën qeverisjen berishiste, do parë me kujdes, sepse mendjen e kanë, në radhë të parë, jo tek e mira e vendit, por tek mbajtja e pushtetit të tyre. 

Konkretisht, edhe kjo shitja e aksioneve vetëm pak muaj para zgjedhjeve, bëhet me qëllime elektorale, për të mbledhur ca para për t’i hedhur në investimet publike, që të ngrenë përkohësisht nivelin e ekonomisë së popullit, që të gënjehen e t’u japin votën. Por pavarësisht qëllimit që kanë, pavarësisht kohës kur po i bëjnë këto shitje aksionesh, ne themi se shyqyr që më së fundi po shiten ato aksione, në kuptimin që po kalojnë në duart e privatëve.
Nuk ishte premtuar privatizimi i thellë, në programin elektoral të berishizmit, në vitin 2005. Në këtë kuadër, edhe kjo shitje aksionesh nuk ka qenë premtuar, bile është dhënë të kuptohet e kundërta, sikur shteti do t’i mbante, e kjo e justifikuar me gjoja nevojën e “kontrollit të shtetit në kompanitë private”! Ishte kjo një reminishencë etatiste e tipit “shteti të futë hundët kudo, vend e pa vend”.
Përveç dëshirës për të futur para në buxhet nëpërmjet shitjes së aksioneve, është dhe diçka tjetër, apo dikush që i ka detyruar berishistët të heqin dorë. Më e përgjithshmja që mund të thuhet, është se e kanë parë se as teoritë dhe as praktikat e tyre etatiste nuk po i përkrah më njeri në botë, as nga e majta perëndimore, dhe bile as dhe nga ajo kineze. Nejse, pavarësisht se qysh e kush, na mbetet të përsërisim: shyqyr që më së fundi ndryshoi, dhe po i hyhet privatizimit të thellë.
Nuk do të rrimë të përsërisim të mirat që ka privatizimi i thellë i ekonomisë, si dhe heqja dorë e kontrollit të shtetit mbi kompanitë private nëpërmjet arkaizmave tip “aksioni i artë”, apo “zotërimi i një pakete që e bën shtetin pjesëtar në vendimmarrjet e kompanive private”. Kemi shkruar gjatë për to, dhe numri i shqiptarëve që akoma besojnë se mund të ketë një influencë pozitive nga kjo përzierje e shtetit, sidomos e një shteti si yni, ka ardhur duke u ulur.
Tani, dhe tek ne, shumica janë të bindur se duhet të kemi një shtet sa më të vogël, pra një shtet që mban pak gjëra në dorë, por ato që i mban i kryen mirë. Gjërat që mban në dorë një shtet i vogël, nuk janë aksione në ndërmarrjet ekonomike, por gjykata e prokuroria, policia e shërbimi informativ, partitë, qeveria e kuvendi, të gjithë të pakorruptuar dhe eficientë.
Shitja e aksioneve duhet të bëhet me letra me vlerë (LV). Kjo edhe sepse paratë nga shitja do të shkonin direkt në duart e individëve shqiptarë, në duart e privatëve, dhe jo në duart e berishizmit: do t’i merrte direkt populli, dhe jo buxheti i shtetit, që boll ka marrë. Natyrisht kjo gjë do të shoqërohej me rritjen automatike të vlerës së LV, gjë që më së fundi do të ishte dhe një mbajtje e vonuar e fjalës së dhënë, nga PD-ja 15 vjet më parë.
Rritja e vlerës së LV
Kur këmbëngulim që shitja e këtyre aksioneve të bëhet me LV, e kemi fjalën për të gjithë llojet e Letrave me Vlerë: letrat e të përndjekurve politikë, bono privatizimi të shpërndara popullsisë etj. Kërkesa e shtetit që pagesa të bëhet vetëm me LV, do të rikrijojë automatikisht tregun e LV.
Rikrijimi i tregut të LV do të bëjë që të rritet kërkesa për LV dhe të rritet edhe çmimi i blerjes së LV. (Vlera nominale e LV është ajo që ka të shënuar LV). Mbase çmimi në treg i LV edhe e kalon vlerën nominale të LV. Kjo do të thotë që p.sh. një LV prej “40 mijë lekë privatizimi”, të shitet për 60 mijë lekë në treg. E përse jo, nëse investitori do të blejë aksionet e një kompanie, dhe mendon se aksionet vlejnë 50% më shtrenjtë se oferta ekzistuese?!
Duke u bërë shitja me LV, investitorët (qofshin individë, qoftë biznesi, pra çdo blerës aksionesh) do të detyrohen të blejnë LV me para, për të bërë pagesat për aksionet që do të blejnë nga shteti. Pra do të krijohet automatikisht një treg, ku investitori blen LV me para (me lekë, euro, dollarë etj.).
Shitësit e LV do të jenë ata që kanë LV dhe duan para e jo aksione. Ata mund të jenë ish-të përndjekurit politikë, ish-punonjësit e ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore, bile dhe vetë grumbulluesit e LV. Të gjithë këta kanë vite që presin që shteti të kujtohet që të mbajë fjalën e dhënë.
Në veçanti, nuk janë “armiq”, as “kapitalistë të poshtër”, e as “matrapazë”, ata që grumbulluan LV. Ata janë thjeshtë operatorë ekonomikë në një ekonomie tregu. Natyrisht që ata, më shumë se individët e zakonshëm, mezi ç’po presin futjen në punë të LV, sepse kanë shpenzuar gjithë ato para, kur i blenë. Investuan, besuan në fjalën e dhënë nga shteti shqiptar, kur shpërndau LV, dhe bëri thirrje të krijohet tregu i tyre. Në çdo bono të LV të shpërndarë, shkruhet: “lirisht e tregtueshme”, si dhe “mund të tregtohen në mes shtetasve”. Janë pikërisht ata që grumbulluan LV, që kontribuan që të rritej kërkesa për LV, edhe kur shteti ynë nuk po nxirrte sa duhet kompani apo objekte që të privatizoheshin me LV. Janë paratë e grumbulluesve, nga të cilat, sado pak, patën përfituar individët që i shitën LV.
Nëse qeverisja (qeveria dhe kuvendi) do t’i shesë këto aksione me LV, atëherë do të fitonin të gjithë. Do t’i thoshim: “shyqyr më së fundi, po mbani një premtim të dhënë, atë që t’u ngrini vlerën LV”.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›