Frattini: Shtysë për futjen e vendeve të Ballkanit në BE
BEOGRAD- Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka ripërsëritur idenë e vendit të tij për zhvillimin e një samiti të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Ballkanit Perëndimor t'i jepet një shtysë e re konkrete dhe mbështetje e fuqishme drejt anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh.
Deklarata është bërë gjatë një interviste të dhënë për numrin e sotëm të së përditshmes së Beogradit "Vecernje novosti".
Sipas Frattinit, Italia ka mbështetur vazhdimisht nevojën që BE-ja të ruajë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi stabiliteti i këtij rajoni është i lidhur ngushtë me progresin e tij drejt anëtarësimit në BE.
Ai ka theksuar më tej se samiti i propozuar, me pjesëmarrjen edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të zhvillohet vitin e ardhshëm, 10 vjet pas samitit të Zagrebit, ku filloi procesi i avancimit të Ballkanit drejt BE-së dhe ku u shpreh hapur mbështetja për anëtarësimin e vendeve si Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja.
Në intervistën e tij, Frattini shtoi më tej se liberalizimi i vizave përfaqësonte rrugën më efikase të BE-së për t'i dhënë formë konkrete të ardhmes evropiane të rajonit.