E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini e Kouchner:Heqje vizash për Shqipërinë

Bernard Kouchner dhe Franco Frattini, përkatësisht Ministra të Jashtëm të Francës dhe Italisë, shprehen optimistë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën.
Qëndrimi i tyre është bërë i ditur në një artikull të nënshkruar nga dy ministrat i cili është bërë publik në të përditshmen franceze "Le Monde".
Kouchner dhe Frattini shkruajnë se "brenda një afati të shkurtër, shpresojmë në veçanti se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të përfitojnë liberalizimin e vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen".
Artikulli pason bisedimet e palës franceze dhe italiane në samitin franko-italian që u mbajt në Paris.
Dy ministrat shprehen megjithatë se "duhet të përmbushen kushtet teknike, por nuk duhet të lejohet krijimi i idesë se myslimanët e Ballkanit do të diskriminohen dhe se nuk do të lejohen të përfitojnë nga masa nga të cilat përfitojnë serbët ose malazezët që prej fundit të vitit 2009".
Sipas dy kryediplomatëve, liria e qarkullimit në BE është themelore për t'u bërë të mundur popujve të Ballkanit Perëndimor të ndihen anëtarë të familjes evropiane.
Në fund të vitit të kaluar vendet e zonës shengen dhanë miratimin për heqjen e vizave me tri vende të Ballkanit, Serbi, Maqedoni dhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja nuk përfituan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›