E Hënë, 2 Nëntor 2026

Frika, media dhe protestat/ Rrëfimi i serbes që studion albanologji

Nevena Zhivançeviq, studente e Albanologjisë në Beograd, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon në RTSH, bëri një rrëfim të eksperiencës së saj si studente në Tiranë e Prishtinë, por tregoi edhe për qasjen që ka ndaj konflikteve shqiptaro-serbe.

Ajo thase kur vendosi të studiojë albanologji, gjyshërit e saj kishin frikë. Por, për të ardhja në Tiranë ishte një realitet ndryshe nga se e kishte menduar pasi thotë se  u ndje si në shtëpi.

“Unë jam nga Beogradi. Në vitin 2023 u diplomova në fakultetin e Filologjisë në katedrën e gjuhës shqipe. Tani jam në dy mastera në Beograd dhe Tetovë. Ndenja një dëshirë të mësoj sa më shumë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Nuk është e thjeshtë të jesh një studente që ndjek studimet për albanologji. Gjyshërit e mi patën frikë, pasi jam vajzë dhe jetojmë në këto konflikte politike. Tani janë mësuar me mua. Unë arrita të kem në shoqëri dhe shqiptare. Kurrë nuk jam ndjerë e paragjykuar. Kur kam qenë për herë të parë në Tiranë ndihesha si në shtëpi. Kur shkova në Prishtinë kisha frikë, por u takova me shumë njerëz të dashur, kuptova se nuk ka vend për frikë. Shqiptarët i pranojnë njerëzit më lehtë se serbët”, tha ajo.

Nevena Zhivançeviq thotë se media nuk po punon mirë pasi, sipas saj, nuk duhet të flitet për tensione, por duhet të përqendrohemi te gjërat e mira që kanë vlerë.

“Fakti është që media nuk po punon mirë. Ekzistojnë shfaqje, filma që ka aktor serb e shqiptar, ekziston bashkëpunim në krijim të fjalorëve të përbashkët. Ka njerëz të rinj që përpiqen të krijojnë gjera më të mira dhe shëndetshme. Në media nuk duhet të flitet për tensione, duhet të përqendrohemi te gjërat e mira që kanë vlerë”, u shpreh ajo.

Sa i përket protestave në Serbi, ajo thotë se janë ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur kohët e fundit në Serbi.

“Protestat janë ndër gjërat më të mira që kanë ndodhur kohët e fundit në Serbi. Shpresoj të ketë ndikim dhe në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Kemi nevojë për ndryshim dhe besoj që gjenerata ime dhe më të rinj sesa unë duan ta sjellin këtë ndryshim. Jemi shumë të ngjashëm, nuk kemi pse përsërisim të kaluarën”, deklaroi ajo.

Po ashtu, ajo shprehet se i vjen keq për krimet e ndodhura ndaj shqiptarëve.

“Lufta është një gjë e keqe. Më vjen keq për gjerat që janë bërë. I kuptoj njerëzit por nuk mund të flas për diçka që unë dhe familja ime nuk e kemi përjetuar. Më vjen vërtet keq për çfarë ka ndodhur”, shprehet Zhivançeviq.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›