E Diel, 1 Nëntor 2026

Frroku në 'News24': Koalicioni me PS, jo kusht posti ministror, do jemi modest në kërkesat tona

TIRANE - Aleatët e PS-së, kristiandemokratët shprehin ambicien për një post ministror, por sipas tyre, ky nuk është kusht për koalicionin me të majtët. I ftuar në rubrikën “Opinion”, me gazetarin Denis Minga në “News24”, deputeti i vetëm i kësaj force, Mark Frroku, thekson se kristiandemokratët kanë një marrëveshje parazgjedhore me PS-në, sipas të cilës, një deputet aleat konvertohet në një ministër. 

Besoj jo pa qëllim jeni cilësuar si një surprizë e këtyre zgjedhjeve nga opinioni publik por edhe nga mediat. Së pari mund t’ju pyes, si arritët të fitonit në këtë qark që në fakt ka qenë bastion i të djathtës dhe ju kandiduat në koalicion me të majtën.
Ka qenë një rrugë shumë e vështirë. Si fillim problemet tona familjare dihen, me problemet e Arben Frrokut. Nisi me një goditje, me një revansh shumë të madh politik. Ata besoj e dinin më shumë se sa ne çfarë force kemi ne në zonë, pikërisht në rrethin e Pukës dhe qarkun e Shkodrës dhe revanshi ishte jashtëzakonisht i madh. Për këtë arsye dua të them që ishte një rrugë shumë e vështirë, por ën fund ja arritëm.
Zoti Frroku ka zëra se vëllai juaj dhe partia juaj kandidoi për t’ju shmangur rrezikut të drejtësisë. Në një farë mënyrë duke qenë pjesë e politikës aktive fiton një lloj imuniteti. Sa të vërtetë kanë këto zëra?
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë kam qenë kontribues edhe më parë në politikën shqiptare, me Partinë Demokristiane. Kam qenë anëtar i kryesisë së partisë demokristiane. Nuk është hera e parë që marrim pjesë në politikë. Përderisa u bë një revansh dhe një goditje selektive, jo vetëm ndaj meje por edhe disa bizneseve të tjera, unë mora përsipër bashkë me vëllain tim që të kalonim në krahun tjetër. Ne kemi qenë gjithmonë në krahun e djathtë, por për shkak të padrejtësive që na janë bërë edhe ne edhe biznesit në përgjithësi, ne vendosëm të kalojmë në krahun tjetër.
Kur u prishën marrëdhëniet tuaja me të djathtën, PD-në apo me partinë e zotit Ndoka?
Me krahun e djathtë janë prishur marrëdhëniet kur ne, një grup shokësh, vendosëm që të krijojmë partinë, më mirë me thënë që ti bëjmë një rikonstruktim kësaj partie, partisë Kristian Demokrate, sepse ajo është krijuar në vitin 2002 por ka qenë disi e panjohur. Që në atë moment ne kemi filluar të kemi goditje direkt nga pushteti.
Fakti që ju jeni pjesë e koalicionit për Shqipërinë Europiane të zotit Rama, keni patur negociata me PS-në, apo ka qenë një vendim për të qenë pjesë e këtij koalicioni, një vendim që ju, në njëfarë mënyre, mund ta keni nuhatur që do të çonte në fitore. Keni patur negociata të drejtpërdrejta para hyrjes në koalicion?
Në fakt duke parë kushtet në të cilat ishim, një krizë e thellë politike apo edhe shoqërore, ne vendosëm që koalicionin ta bënim me të majtën. Nënshkrimi është bërë 3 muaj përpara, apo më shumë. Kjo ka qenë pikënisja e halleve tona, po ta marrim gjithmonë nga ana e pushtetit, që akoma është sot dhe në shtator do ta lënë detyrën dhe detyrën do ta marri dikush tjetër.
Mund të na thoni çfarë marrëveshje keni me Partinë Socialiste?
Marrëveshja është nëse ne dalim direkt me një deputet në çdo qark, ne do të kemi një post ministror. Kjo është marrëveshja.
Ministria do të zgjidhet nga ju apo nga PS?
Negociatat vazhdojnë, por ne nuk kemi ushtruar shumë trysni në lidhje me këtë ndaj PS-së. Marrëveshja është shumë e qartë, marrëdhëniet janë shumë të mira, presim.
Kush po i zhvillon negociatat, ju në emër të partisë tuaj?
Një grup nga partia jonë, me në krye kryetarin.
Zoti Mark Frroku, unë e di listën e qarkut të Shkodrës, ju jeni zgjedhur deputet dhe pas jush vjen menjëherë vëllai juaj Arben Frroku. Nëse ju do të zgjidheni ministër, sipas rregullit të koalicionit të majtë, i bie që vëllai juaj Arben Frroku do të jetë më pas përfaqësues i partisë tuaj në parlament. Sa i mundur është ky skenar, duke patur parasysh problemet që ka me drejtësinë vëllai juaj?
Në fakt vendimin për të kandiduar i dyti në listë në qarkun e Shkodrës, nuk është marrë nga unë, por nga strukturat e partisë duke parë padrejtësinë që i është bërë Arben Frrokut. Ne jemi të bindur që ai është i pafajshëm, por jemi edhe të bindur që drejtësia do të shkojë në vend. ne kemi besim tek drejtësia shqiptare, duhet të kemi patjetër. Përsa i përket ministrit nuk është vendosur akoma, mund të jem unë, dikush nga partia, mund edhe të mos ketë ministri fare, gjë që për ne nuk është ndonjë problem i madh si parti.
Këtu thatë një realitet tjetër. Pra nëse ju pranoni, nesër në këto negociata edhe të mos merrni një ministri, ashtu siç ka qenë marrëveshja juaj.
Ne nuk i mëshojmë patjetër që të kemi një ministri. Ne punën tonë e kemi bërë. Puna jonë ishte që të dilnim triumfues në këto zgjedhje, të merrnim një mandat. Pastaj të tjerat hap pas hapi.
Nëse zoti Rama nuk ju ofron një post ministror, nuk e përkeqëson marrëdhënien tuaj?
Absolutisht jo. Marrëveshjes do ti qëndrojmë prap së prap.
Kur parashikohet ekstradimi i Arben Frrokut?
Ekstradimi sot për sot ndodhet në dorën e ministrit grek të Drejtësisë, i cili duhet të firmosë një dokument. Pastaj janë një serë procedurash të tjera dhe ai pastaj do vijë.
Për t’ju kthyer marrëdhënieve tuaja me të majtën, që në fakt e kanë zanafillën jo shumë muaj larg, mazhoranca ende në detyrë ka akuzuar PS-në për lidhje me familjen tuaj dhe konkretisht me vëllain tuaj. Sa të vërteta janë këto akuza? A keni patur kontakte me deputetët socialistë gjatë kësaj fushate?
Vëllai im e ka bërë të qartë nga burgu, se unë kam pasur lidhje me politikën shqiptare, biznesin shqiptar. Shqipëria është shumë e vogël, ne jemi në biznes këtu e 20 vite dhe është mëse normale që ne të rrjmë me politikanë, deputetë, njerëz të fushës së biznesit. Unë kam pasur rastin të rri me deputetë të PS-së dhe PD-së. Unë kam qenë një biznesmen, sot jam në një stad tjetër, me mandatin e deputetit. Për mua çdo gjë është normale. Kontaktin me politikanët e kam pasur edhe para kandidimit tim, me të majtët dhe të djathtët.
Përse mendoni se ka një sulm, apo një tendencë nga e djathta ndaj familjes tuaj. Cfarë ndodhi përse jeni prishur?
Tendenca është shumë e qartë. E djathta gjithmonë është mësuar duke marrë vota nga familja ime dhe me lidhjet e mija. Në këtë kohë unë bëra divorc me ta, për arsyet që përmenda më parë. Unë besoj se njeriu ka të drejtë të zgjedhje aty ku e ndjen dhe e mendon. Kjo ka qenë goditje e pastër politike. kjo u provua dhe në 23 qershor kur ne u votëbesuam me shumë vota.
Ju keni arritur rezultat spektakolar në qarkun e Shkodrës ku kishit dy rivalë shumë të fortë, PD-në dhe partinë e zotit Ndoka. Keni patur probleme gjatë ditës së votimit me eksponentë të këtyre partive?
Nard Ndoka u bë pjesë e listës së PD-së. Votat që janë marrë në Shkodër tregojnë qartë se sa peshë ka partia e tij në qarkun e Shkodrës. Zoti Ndoka fitoi, i përket PD-së. Lufta ka qenë shumë e ashpër. Lufta për vota, se çdo gjë ka qenë e qetë, ka shkuar shumë mirë, pavarësisht presioneve të pushtetit, por në përgjithësi shumë e qetë.
Kush i mbrojti votat tuaja zoti Frroku, kishit një marrëveshje për këtë gjë?
Që në fillim të marrëveshjes me PS-së, kërkesa numër një dhe absolute ka qenë mbrojtja e votës. Unë përgëzoj PS-në dhe njerëzit e PS-së për ruajtjen e votës së Partisë Kristalin Demokrate.
Ju thatë që edhe nëse nuk do të merrni një post ministror nuk përbën problem. A do të ketë kërkesa në nivel të dytë, për shembull zv/ministër apo drejtor nga partia juaj?
Ne e kemi bërë të qartë, duhet të jemi pjesë e qeverisjes, pastaj këto janë negociata që do të bëhen me PS-në, me liderin e saj, pastaj do të dalim në konkluzione.
Nëse ju pyes për LSI-në, si pjesë e koalicionit, keni marrëdhënie me këtë forcë politike?
Marrëdhëniet janë normale. Unë kam marrëdhënie shoqërore me disa nga deputetët që janë zgjedhur. Por akoma nuk kemi kontakte me këtë forcë, asnjë lloj bisede, asnjë negociatë. Natyrisht që LSI ka një peshë shumë të madhe, përdersia doli fituese me shumë deputetë. Do të ketë një peshë të madhe në qeverisjen e vendit. Ne marrëveshjet dhe marrëdhëniet i kemi direkt me PS-në.
Nëse vëllai juaj do të shpallet i pafajshëm nga drejtësia, ju do të ishit i gatshëm ti linit vendin e deputetit?
Këtë duhet ta diskutojmë dhe me strukturat e partisë. Nuk mund ta vendos vetëm unë. Votuesit më kanë votuar si Mark, si parti dhe jo si familje.
Zoti Frroku, do doja t’ju bëja një pyetje që lidhet me deklarata e ashpra që ka pasur mes tij dhe drejtuesve të lartë të policisë së shteti. Çfarë marrëdhëniesh ishit ato mes vëllait tuaj dhe drejtuesve të policisë?
Vëllai im ka deklaruar se dreka nuk ka qenë e rastësishme. Në fakt po ata njerëz kanë qenë persekutorët më të mëdhenj të vëllait tim dhe familjes time dhe e kanë bërë me përsëritje këtë gjë. Ata duhet të kishin reaguar ndryshe, kanë reaguar në atë mënyrë që ata e kanë menduar. Është pjesë e tyre nuk më intereson.
Do doja të dija preferencat e partisë tuaj, për përfaqësim në nivel ministrish, kë dikaster do të preferonit ju?
Përfaqësimi në nivel vjen sipas mbledhjes së votave, si rregull. Ne do të jemi modest në kërkesat tona. Kjo është filozofia jonë. Për ne më e rëndësishmja është që qeverisja të jetë në nivel të lartë. Njerëzit të përfaqësohen të gjithë, partitë të përfaqësohen dhe njerëzit të kenë më shumë drejtësi se sa kishin më parë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›