E Hënë, 2 Nëntor 2026

”Fryma e Vjosës”, Parku Kombëtar vjen në optikën e fotografes Jutta Benzenberg

Një copëz nga historitë e komuniteteve në Vjosë pasqyrohet në Piramidën e Tiranës këtë të mërkurë, nëpërmjet lentes së fotografes, Jutta Benzenbeg, e cila udhëtoi për të takuar komunitetet e Vjosës dhe për të ndarë historitë e tyre me botën, përmes vetë fjalëve të tyre. 

Breza të tërë familjesh kanë jetuar përgjatë brigjeve të lumit dhe janë bekuar me dhuratat e Vjosës, qoftë duke mbledhur barishtet e vyera, duke kultivuar token, madje duke mësuar edhe të notojnë. Tashmë, duke jetuar në këto zona rurale, ata po përballen gjithashtu me sfidat e jetës dhe me një të ardhme shpesh të pasigurt. Historitë e tyre për shfaqin të vërtetën se pse ky lum është kaq i veçantë dhe se pse Parku Kombëtar i këtij siti është aq i domosdoshëm për përditshmërinë e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që ne t’i përfshijmë njerëzit në projektin e Parkut Kombëtar të Vjosës sepse ata janë pjesë e saj dhe dinë sesi ta mbrojnë natyrën. Janë 8 histori për të cilat uroj që të pasohen me rrëfenja të tjera, ku mund të përcjellim idenë sesa i madh është interesi i shqiptarëve që të jenë pjesë aktive e ruajtjes së natyrës”, u shpreh Jutta Benzenberg.

Kujtojmë që më 13 Mars 2023, lugina e lumit Vjosa në Shqipëri u shpall Park Kombëtar, si lumi i fundit i egër në Evropë. Ndërsa në muajin Shtator është miratuar ‘Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Kombëtar Lumi Vjosa’, dokumenti bazë që përcakton ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj zone të mbrojtur. Ndërkohë është realizuar edhe aplikimi për përfshirjen e Parkut Kombëtar ‘Lumi Vjosa’ në UNESCO. Ky aktivitet do të qëndrojë i ekspozuar në hollin e Piramidës deri në datën 12 Nëntor.

/RTSH/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›