Fshati Hajdaraj në Lushnjë probleme me rrugën – Banorët: Hasim vështirësi për të tregtuar produktet

Banorët në fshatin Hajdaraj të Lushnjës kanë probleme me infrastrukturën rrugore. Në këtë rrugë rreth 4 km nuk është vënë dorë asnjëherë gjatë 20 viteve të fundit.
Banorët thonë se rruga është dëmtuar nga koha dhe se është i vetmi aks që lidh fshatin me qytetin, si edhe zonat e tjera përreth tij. Gropat dhe lagështia në dimër vështirësojnë nxjerrjen e produkteve bujqësore duke bërë që shumë fermerë të heqin dorë nga mbjelljet.
Bashkia pas një proteste të bërë nga banorët në muajin nëntor premtoi sistemimin e rrugëve në muajin dhjetor. Nënkryetari i bashkisë Lushnjë ka thënë se rruga është në plan për tu rregulluar, sapo të mbarojnë punimet e nisura në fshatin Golem.
“Është miratuar rikonstruksioni dhe asfaltimi i rrugës së fshatit Hajdaraj”, u shpreh Elton Korreshi, Nënkryetar i Bashkisë Lushnjë.
Rruga e fshatit Hajdaraj është vetëm 3 km larg qytetit të Lushnjës . Fshati ka rreth 150 shtëpi dhe ekonomia bujqësore është burimi kryesor i të ardhurave familjare.
/RTSH/