Fshatrat e Konispolit presin turistë – Shtëpitë bëhen bujtina, lulëzon agroturizmi

Fshatrat e Konispolit po kthehen gjithnjë e më shumë në destinacione të preferuara për turistët e huaj. Prej fillimit të verës, këto zona rurale kanë nisur të mirëpresin vizitorë të shumtë, të cilët kërkojnë qetësinë, natyrën e paprekur dhe mikpritjen tradicionale të jugut. Afërsia me Sarandën dhe Ksamilin ka ndikuar që fluksi i turistëve të mos mbetet vetëm në bregdet, por të shtrihet edhe në fshatrat e Bashkisë Konispol.
“Duke qenë se kapacitetet e Sarandës dhe Ksamilit nuk mjaftojnë për akomodimin me turistëve, ndodh shpesh që fshatrat përreth që turistët të akomodohen kryesisht në fshatrat përreth”, u shpreh Juli Lako, Nënkryetar i Bashkisë Konispol.
Ky interes i shtuar ka sjellë ndryshime edhe në stilin e jetesës së banorëve lokalë. Të vetëdijshëm për potencialin turistik, shumë prej tyre kanë nisur të përshtatin shtëpitë e tyre në njësi akomoduese.
“Duke parë njëri-tjetrin, çdo sezon stimulohen dhe janë të gatshëm për të ofruar shtëpitë e tyre”, tha ai.
Rritja e interesit për turizmin rural në Konispol shihet si një mundësi konkrete zhvillimi për këto zona, të cilat për shumë vite janë përballur me emigracion dhe mungesë investimesh. Me mbështetjen e institucioneve dhe promovimin e duhur, këto fshatra kanë potencial të bëhen pjesë e itinerareve turistike të jugut të Shqipërisë, duke ofruar një përvojë ndryshe nga ajo tipike bregdetare.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/