E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshesa politike e Sadriut

Katër menaxherë të lartë në Qendrën Klinike Universitare vetëm hijen e kanë në këtë institucion.

Në rast se realizohet ideja e drejtorit ekzekutiv të QKUK Ali Sadriu, Skënder Shabani, menaxher i personelit dhe i administratës, Gazmend Rushiti, menaxher i prokurimit, Musa Vitija, auditor i brendshëm, si dhe Islam Krasniqi, shef i shërbimeve teknike në QKU, mund të mbesin pa punë.

Para se këta menaxherë të lartë të QKU të largohen nga puna, zyra e drejtorit ekzekutiv si paralajmërim se ata mund të fluturojnë nga puna u ka bërë një vlerësim negativ për punën e tyre gjatë vitit 2009.

Edhe pse ata kanë raportin me performancë pozitive për punën që kanë bërë në vitin 2009 që u është bërë nga ish drejtori Jusuf Ulaj, kjo nuk e ka penguar drejtorinë ekzekutive që t`i paralajmërojë këta menaxherë se së shpejti mund të mbesin pa punë.

Gjithçka sillet nëpër mendjet e këtyre menaxherëve se pse mund të largohen nga puna, përveç asaj se ata kanë dështuar në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që kanë.
Njëri nga ta thotë për Express se arsyeja e vetme që ai mund të largohet nga puna është mosbindja e tij politike me drejtorin e QKU`së, Ali Sadriu, i cili është nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një tjetër menaxher, që po ashtu pritet të largohet nga puna, thotë se është “pengesë” për punët të cilat dëshiron t`i kryejë drejtori ekzekutiv, si në rastin e futjes së ndonjë të afërmi në punë apo edhe shpërblimin me ndonjë kontratë të majme për ndonjë kompani në rast të ndonjë prokurimi në Qendrën Klinike Universitare.

“Vetëm pse nuk jam në të njëjtën parti në të cilën është drejtori ekzekutiv, unë mund të largohem nga puna”, thotë njëri nga këta menaxherë, pa dashur t`i përmendet emri.

Menaxheri i personelit dhe i administratës, Skënder Shabani, menaxheri i prokurimit, Gazemend Rushiti, drejtori i auditimit të brendshëm të QKU si dhe Islam Krasniqi, shef i shërbimeve teknike në QKU, janë të punësuar më shumë se tri vjet në pozitat që mbajnë aktualisht.

Ata thonë se prej emërimit të drejtorit të ri të QKU kanë pasur presione të vazhdueshme se ata do të largohen nga puna. Por, që javën e fundit ky presion është rritur.

“Ka pasur tendenca dhe paralajmërime për një gjë të tillë, por në javën e fundit ky presion është rritur dukshëm”, thonë këta zyrtarë të lartë të QKU`së.

Të katër këta menaxherë të lartë i janë drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës përmes një letre, në të cilën kërkojnë ndihmë nga ky organ.

Në këtë letër thuhet se vlerësimet e punës së secilit shërbyes civile në bazë të rregullave, të cilat ekzistojnë me rregulloren 2001/36 dhe 2003/2, ekziston periudha provuese, takime gjysmëvjetore, takime vjetore të punës, ku bëhet vlerësimi për këtë kohë, andaj zëvendësdrejtori i QKU, Rrahman Krasniqi, po e bën vlerësimin e punës në muajin shkurt të vitit 2010 për vitin 2009.

“Ne e kemi vlerësimin e ish-drejtorit të QKU, Jusuf Ulaj, për vitin 2009, andaj e konsiderojmë që rivlerësimi është tendencioz dhe me qëllime të caktuara politike nga drejtoria ekzekutive”, thuhet në këtë letër.

Ata rrëfejnë se për punën e tyre ekzistojnë raportet mujore që janë bërë në vitin 2009.
Por drejtoria ekzekutive e QKU thotë se ende nuk ka asnjërin prej formularëve të vlerësimit të shefave të shërbimeve profesionale.

“Çdo ndërhyrje e tillë pa marrë formularin e vlerësimit nga drejtori ekzekutiv, paraqet konflikt interesi. Drejtoria ekzekutive e QKUK-së do bëjë publik çfarëdo vendimi që ndërmerret në këtë drejtim, por deri tani nuk është marrë ndonjë vendim i tillë”, thonë nga zyra e drejtorit ekzekutiv të QKU, Ali Sadriu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›