E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuadi është mirë

Fuad Ramiqi, ish-zyrtari i Partisë së Drejtësisë, tashti pjesë e LDK-së, prezent në njërën prej anijeve të sulmuara nga forcat izraelite, ka shpëtuar.

Ai tashmë gjendet në Izrael dhe së shpejti pritet të bëhet riatdhesimi i tij. Këtë e ka konfirmuar për Express Teuta Ramiqi, e bija e Fuad Ramiqit.

Ajo pohoi se këto informacione i ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë dhe nga Ambasada e Kosovës në Turqi.

“Ne e dimë se babai gjendet në Izrael, na kanë thënë se ai nuk ka pësuar ndonjë plagë dhe se shpejt presim që ai të riatdhesohet. Këto informacione i kemi nga ambasada jonë në Turqi dhe MPJ”, tha Teuta Ramiqi.

Arsyen pse babai i saj kishte qëlluar në atë anije, Teuta thotë se nuk e di saktësisht dhe se sipas saj, të gjitha do të qartësohen pas kthimit të Ramiqit në Kosovë.

“Nuk mund të them se përse ka qenë në atë konvoj. Nuk dua të spekuloj. Kur të vijë ai (Fuad Ramiqi) do të qartësohet e gjitha”, shtoi ajo.

Gjatë ditës së martë lidhur me këtë është deklaruar për media edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Lulzim

Mjeku, ka deklaruar se Ramiqi është gjallë dhe nuk është as në listën e personave të plagosur. Sipas Mjekut, Ambasada e Kosovës në Ankara po punon për të konfirmuar nëse në anije ka qenë edhe ndonjë kosovar tjetër.

Ai ka shtuar se MPJ-ja pret që gjatë ditës të marrë informacione shtesë për këtë rast nga Ministria e Jashtme e Turqisë.

Edhe tre shqiptarët e Maqedonisë, të cilët ishin pjesë e ekipit në flotën ndërkombëtare, e cila u sulmua të hënën nga forcat speciale izraelite në ujërat ndërkombëtare në afërsi të Rripit të Gazës, janë gjallë.

Jasmin Rexhepi (28), Sami Emini (57) të dy nga Shkupi, si dhe Sead Hasipi (50) nga Kumanova, ndodhen në paraburgim në Izrael, janë njoftuar familjarët e tyre sot në mëngjes nga Ambasada e Maqedonisë në Izrael.

Shqiptarët ishin pjesë e ekipit prej 686 udhëtarësh në anijet e karvanit humanitar që u sulmua nga forcat speciale të Izraelit. Ata ishin nisur në Gaza përmes një organizate humanitare turke.

Në sulmin e luftanijeve izraelite u vranë nëntë aktivistë pro-palestinezë, kurse dhjetëra të tjerë u plagosën. Izraeli njoftoi se ka filluar sot procesin e dëbimit të qindra aktivistëve pro-palestinezë, të cilët u ndaluan në konvoj.

Ministria e Brendshme tha se grupi i parë i 45 aktivistëve propalestinezë janë nisur drejt aeroportit në Tel Aviv. Ndërkohë, në gjithë botën, disa mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar për shkak të sulmit të komandove izraelite kundër konvojit të anijeve me ndihma humanitare për Gazën. Në sulm, sipas të dhënave të fundit, kanë vdekur 9 persona, ndërsa janë plagosur mbi 30.

Një ditë pas sulmit, Izraeli e filloi procesin e dëbimit të qindra aktivistëve propalestinezë, të cilët u ndaluan pas këtij sulmi vdekjeprurës. Ministria e Brendshme tha se grupi i parë i 45 aktivistëve pro-palestinezë janë nisur drejt aeroportit në Tel Aviv.

Ndërkohë, Turqia njoftoi se i ka dërguar tre aeroplanë për në Izrael, për t’i kthyer aktivistët propalestinezë, që janë plagosur nga sulmi vdekjeprurës i forcave të Izraelit, kundër flotës humanitare. Pritet se me këta aeroplanë do të kthehen afro 20 shtetas të Turqisë, që ishin plagosur nga ndërhyrja e komandove izraelitë në anijet turke, raporton REL.

Zyrtarët e ministrisë së jashtme në Ankara thanë se ndërhyrja izraelite mund t’i “dëmtojë pakthyeshëm” raportet Turqi – Izrael.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në deklaratën formale, të miratuar pas më tepër se 10 orësh të negociatave me dyer të mbyllura, Këshilli i Sigurimit ka kërkuar “hetime të pavarura dhe transparente”.

Të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit u pajtuan për deklaratën, e cila ishte më e butë se sa kërkohej nga palestinezët, arabët dhe Turqia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›