E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fund i lumtur për kuqezinjtë

Nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë muajit dhjetor, por Shqipëria është ngjitur dy vende në renditjen botërore të FIFA-s për muajin dhjetor 2007, njëherësh edhe klasfikimi përfundimtar për vitin 2007, kjo edhe për shkak të përllogaritjeve të rezultateve të ekipeve të tjera të listuara në "FIFA Coca-Cola Ëorld Ranking". Tashmë nga vendi i 82-të në muajin nëntor jemi në të 80-tin në renditjen që përfshin 207 ekipe kombëtare nga i gjithë planeti, por duke pasur të njëjtën kuotë pikësh: 407.
NË VEND - Por, nëse në renditjen botërore Shqipëria ngjiti dy vende, në atë europiane mbeti sërish në vendin e 38-të, po aty kur u përcaktua edhe renditja për vazot e shortit e Kampionatit Botëror 2010, pra në vazon e pestë. Renditja më e mirë e Kombëtares kuqezezë gjatë vitit 2007 është ajo e muajit gusht në vendin e 66-të, ndërsa ajo më e keqe i përket muajit mars, në të 88-in.
NDESHJET - Shqipëria gjatë vitit 2007 në drejtimin e trajnerit kroat, Oto Baric, tashmë të dorëhequr, zhvilloi 12 ndeshje zyrtare dhe miqësore të njohura nga FIFA (duke mos llogaritur miqësoren me Anglinë B, të humbur 3-1 në Bërnli, më 24 maj 2007). Gjatë këtyre ndeshjeve kuqezinjtë arritën 3 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje. Kombëtarja shqiptare është në kërkim të pasuesit të Otos, ku alternativa më e besueshme është austriaku Hans Krankëll, i rekomanduar nga avokati shqiptaro-austriak Skëndër Fani, një mik i njohur i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
KUNDËRSHTARËT - Në klasifikimin special të Grupit 1 europian për eliminatoret e Botërorit "Afrika e Jugut 2010", Portugalia e Kristiano Ronaldos renditet në vendin e 8-të në Botë dhe të 6-in në Europë me 1241 pikë (po aq sa në muajin nëntor). Suedia e Zlatan Ibrahimovicit ndodhet në vendin e 24-t me 853 pikë (e 17-ta në Europë). Danimarka e Jon Dahl Tomason në pozicionin 31 në planet dhe të 22-in në Europë (797 pikë). Hungaria u ngjit dy vende në botë, tani e 50-ta, por e 28-a në Europë, duke marrë edhe një bonus prej 7 pikësh në raport me muajin nëntor, tani me 588 pikë. Malta, skuadra relativisht më e dobët e grupit tonë, renditet e 136-ta në botë (ngjiti 3 vende) dhe e 48-a në Europë.

Renditjet e Shqipërisë
Viti 2007

* Dhjetor, vendi 80
* Nëntor, vendi 82
* Tetor, vendi 78
* Shtator, vendi 78
* Gusht, vendi 66
* Korrik, vendi 67
* Qershor, vendi 69
* Maj, vendi i 78
* Prill, vendi 77
* Mars, vendi 88
* Shkurt, vendi 87
* Janar, vendi 86

Botërori 2010
Zona Europiane, Grupi 1
Skuadra Botë Europë Pikë
1. Portugalia 8 6 1241
2. Suedia 24 17 853
3. Danimarka 31 22 797
4. Hungaria 50 28 588
5. Shqipëria 80 38 407
6. Malta 136 48 184

Argjentina, skuadra e vitit

Argjentina është skuadra e vitit, ndërsa në podium janë dhe Brazili ( i dyti) dhe Italia (e treta). Ky është verdikti përfundimtar i klasifikimit për vitin 2007 i dhënë nga statistikat e qeverisë së futbollit botëoror, FIFA-s. Për herë të parë, kombëtarja argjentinase, falë 11 fitoreve, dy barazimeve dhe tre humbjeve gjatë këtij viti gjendet në krye, duke spostuar Brazilin në vendin e dytë. Italia, falë arritjeve të saj gjendet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Europë. Spanja ndodhet e katërta, duke fituar tetë pozicione. Ngjitet edhe Kroacia, tani e dhjeta në klasifikim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›