E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fund njëherë e mirë

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, shprehet se ndryshimet kushtetuese që s’kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, të propozuara nga demokratët, kërkojnë kohë për t’u diskutuar. Në një intervistë për “Korrierin”, Xhafaj shprehet se për këtë arsye do të duhej të miratoheshin njëherë ndryshimet që lidhen me reformën zgjedhore, e më pas të diskutoheshin propozimet e tjera që lidhen me presidentin, kryeministrin dhe Prokurorinë e Përgjithshme. “Nëse do të më pyesnit mua, padyshim që do të kërkoja të mbyllet njëherë cikli i reformës dhe kjo është shumë e rëndësishme, për shkak se nëse do ta shtynim këtë për t’i sjellë në të njëjtën kohë me ndryshimet e tjera kushtetuese, do të vononim gjithë procesin e reformës”, - deklaron ai, ndërsa shton se vonesa e miratimit të ndryshimeve kushtetuese lidhur me reformën mund të cenojnë edhe procesin zgjedhor. Ndërkaq, ai saktëson se një nga pikat e ndryshimeve kushtetuese nuk sanksionon shkrirjen e KQZ-së, por nxjerrjen nga rregullimi kushtetues i statusit të KQZ-së. Më tej, nëse do të ekzistojë dhe si do të funksionojë ky institucion, do të përcaktohet në Kodin Zgjedhor.

-Si i gjykoni propozimet e bëra dje nga PD-ja për ndryshimet kushtetuese?

“Ka dy grupe propozimesh të bëra nga PD-ja. Një është në vazhdim të propozimeve të bëra nga grupi nismëtar socialist, ndërsa tjetri ka të bëjë me ndryshime kushtetuese për presidentin, kryeministrin dhe prokurorin e Përgjithshëm të Republikës. Për sa i përket të parës, në tërësinë e tyre ato janë amendamente që shkojnë në të njëjtën linjë me frymën e debatit, shkojnë në të njëjtën linjë me iniciativën e opozitës. Për sa u përket ndryshimeve të tjera, më duhet të them që nuk kanë qenë ndryshime të njohura nga ne. Përkundrazi, ishin propozime që u dhanë në tryezën e Komisionit të Ligjeve, kështu që do të duhet kohë jo thjesht për t’i lexuar, por për t’u njohur dhe për të reflektuar e debatuar rreth tyre. Unë i përmbahem parimit, që në prekjen e Kushtetutës duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Kushtetua përbën ligjin themeltar të shtetit dhe normat kushtetuese nuk mund të ndryshohen pa një analizë të plotë të nevojës që e dikton këtë ndryshim, dhe për më tepër të harmonizimit të ndryshimeve me frymën e përgjithshme, me modelin që i garanton Kushtetuta. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që nuk ka vend për ndryshime, kur ato janë fryt i një analize, një debati të tillë dhe se ne jemi kundër çdo lloj ndryshimi. Përkundrazi, ne jemi të hapur për të diskutuar, për të diskutuar edhe për ndryshime të mundshme kushtetuese, por gjithmonë duke qenë shumë të kujdesshëm në këtë proces”.

-Përderisa të dyja palët janë dakord për ndryshmet e reformës, të tjerat duhet të jenë një hap i mëvonshëm?

“Së pari, për ndryshimet që lidhen me reformën zgjedhore është një debat i hapur që ka kohë që bëhet. Nga ana tjetër, duhet thënë që propozimet që kemi bërë ne, janë propozime me të cilët prej kohësh është njohur opinioni publik, aktorët politikë, gjithë faktorët e tjerë të interesuar rreth tyre. Pra, ka qenë koha e mjaftueshme për t’i debatuar dhe për t’i konsideruar apo jo ato propozime. Është gjithashtu fakt i njohur që PD-ja i ka konsideruar pozitivë propozimet tona. Propozimi i deputetëve socialistë është fryt i këtij debati, është fryt i këtij konsultimi të gjerë publik brenda dhe jashtë politikës dhe me ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë. Ndërsa kur bëhet fjalë për ndryshimet e tjera, unë nuk i kundërshtoj ato apriori, por them që është e domosdoshme një kohë e mjaftueshme për të gjykuar dhe vendosur rreth tyre”.

-Pra, të diskutohen dhe të votohen më vonë se ato për reformën zgjedhore?

“Nëse do të më pyesnit mua, padyshim që do të kërkoja që të mbyllet njëherë cikli i reformës, dhe kjo është shumë e rëndësishme, për shkak se, nëse do ta shtynim këtë për t’i sjellë në të njëjtën kohë me ndryshimet e tjera kushtetuese, do të vononim gjithë procesin e reformës. Vonesa në procesin e reformës është një efekt zinxhir që mund të efektojë pastaj edhe në procesin e ardhshëm dhe në përgatitjen e politikës dhe gjithë aktorëve e faktorëve për përgatitjen për procesin elektoral. Kurse nga ana tjetër, kushtëzimi i saj me këtë nuk do të më dukej shumë i drejtë, por ky gjithsesi është një gjykim personal”.

-Është bërë një tjetër propozim dje. A mund të themi që sanksionon shkrirjen e KQZ-së?

“Nuk mund të them shkrirja e KQZ-së, por nxjerrja nga rregullimi kushtetues i statusit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Që do të thotë se, nëse këto amendamente miratohen, së pari do të duhet të vendoset nëse do të ketë një Komision Qendror të Zgjedhjeve apo jo, dhe nëse do të ketë, ai nuk do të ketë më një status kushtetues, por do të jetë i rregulluar nga Kodi Zgjedhor”.

-Ka disa parti të vogla që kërkojnë ende të jetë sërish sistemi aktual zgjedhor...

“Është çështje e debatit. Secili nga aktorët politikë ka të drejtën e tij. PS-ja se çfarë qëndrimi ka, e ka bërë publike, dhe kjo është gjë e njohur”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›