Gjinushi: Kjo qeveri është kalbëzuar
Në ambientet e Muzeut Kombëtar zhvilloi dje punën Konferenca e Rinisë socialdemokrate të degës së Tiranës. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, nënvizoi se po del qartazi e në mënyrë rënqethëse shkalla e kalbëzimit, hipokrizisë, implikimit dhe paaftësisë së një pjese të madhe të politikës shqiptare. "Veçanërisht asaj pjese të kryesuar nga shumica aktuale dhe klani i Kryeministrit të Partisë Demokratike", theksoi Gjinushi. Sipas tij, ky realitet e bën të domosdoshëm ndryshimin e kursit politik, rifreskimin e politikës, spastrimin e saj. "Kjo mund të bëhet vetëm me rritjen e pjesëmarrjen e rinisë në politikë, pra vetëm me mbështetjen e pjesëmarrjen tuaj", u shpreh Gjinushi. Ai këmbënguli se politika nuk ndryshohet me fjalë, as me angazhime, as me ndryshim programesh, as me pakënaqësi dhe indiferentizëm. "Ndryshohet me pjesëmarrje aktive, me protesta, me denoncime publike; ajo ndryshohet me votën e lirë të dhënë jo për inerci, por për ekipin më të mirë, alternativën më të mirë", këmbënguli Gjinushi.