E Enjte, 5 Nëntor 2026

Fundgushti në plazhin e Shëngjinit, Rama ndan pamjet

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Bregdeti i Shëngjinit është shndërruar në pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur plot me turistë.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Plazhi i Shëngjinit shtrihet në perëndim të qytetit të Lezhës, nga Velipoja në veri dhe deri në anën e djathtë të grykëderdhjes së Drinit të Lezhës, në jug të ishullit Kune.

Plazhi ka një gjatësi prej 9 km dhe gjerësi deri 30-70 m. Pjesa më rekreative e Plazhit të Shëngjinit është zona e ishullit Kune, ku janë ngritur një varg restorantesh dhe objektesh të tjera hotelerie.

Plazhi rrethohet nga pylli me pisha dhe në kurriz mbrohet nga kodrinat e larta. Ai ndodhet shumë pranë rrugëve kombëtare dhe është i arritshëm për këdo, duke siguruar akomodim të mirë dhe ekonomik në çmime.

Në rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike.

/m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›