E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuqia e Shtetit

Kosova kontrollon kufijtë e saj. Me zbatimin e një operacioni sekret, Njësia Speciale e Policisë bëri të mundur që në pikat 1 dhe 31 në Veri të vendit të rivendosen kontrollet policore dhe doganore. Gjatë intervenimit një polic është plagosur rëndë dhe më pas ka vdekur, kurse pesë të tjerë janë plagosur lehtë. Serbët e revoltuar kanë bllokuar rrugët drejt dy pikave kufitare Nga Nebih Maxhuni & Jeton Musliu më 27 korrik 2011 në ora 08:21

Kosova ka kthyer nën kontroll dy pikat e veta kufitare me Serbinë. Tri vjet pasi pikat 1 dhe 31 u dogjën nga serbët, policët dhe doganierët tashmë janë aty. Në njërën prej tyre, kontrolli u kthye duke udhëtuar me helikopterë, kurse në tjetrën përmes rrugëve tokësore.

Pavarësisht tensioneve, gjithçka dukej se po shkon mirë, deri në mesditën e së martës, kur një polic i Njësisë ROSU dyshohet se është qëlluar me snajper nga një nga serbët e revoltuar. Ai është plagosur kur konvoji me pjesëtarë të kësaj njësie ishte nisur drejt Zubin Potokut, saktësisht pikës kufitare 31 në Bërnjakë.

Në fakt, pjesëtarët e Njësisë Speciale e kishte kthyer kontrollin në këtë pikë qysh të hënën në mbrëmje, pak pasi nisi aksioni. Por në këtë rast ata ishin duke shkuar për herë të dytë atje, për të bërë ndërrimin e kolegëve të tyre.

Ata hasën në pengesa nga serbët lokalë. Të revoltuar me praninë e tyre, serbët kishin bllokuar rrugën që nga Mitrovicas çon drejt pikës kufitare 31 në Zubin Potok. Magjistralja ishte e bllokuar me gurë, zhavorr, drunj e kamionë. Për këtë arsye, policia u detyrua që drejt pikës kufitare të përdor rrugë dytësore. Pikërisht në këtë kohë, dyshohet se polici Enver Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrrisë është qëlluar nga largësia me snajper, duke u plagosur rëndë në kokë.

Kjo ka bërë që Njësia Speciale të kthehet sërish drejt Mitrovicës, për t’ia dhënë ndihmën e parë pjesëtarit të saj.

Gjendja shëndetësore e Zymberit ka vazhduar të jetë e rëndë, ndonëse pas dhënies së ndihmës së parë në spitalin e qytetit në jug të Mitrovicës, ai është dërguar me helikopter të KFOR-it në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe ka ndërruar jetë mbrëmë vonë.

Ndërkohë, gjatë tërë ditës së martë, situata në Mitrovicë ishte shumë kaotike, pasi nga orët e mëngjesit kur në dy pikat kufitare me Serbinë u vendosen nën kontrollin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, pati shumë informacione të cilat ishte vështirë të konfirmoheshin.

Aksioni shumë sekret i Policisë së Kosovës, i urdhëruar nga Kryeministri Hashim Thaçi, nisi në orët e vona të mbrëmjes të së hënës.

Pika kufitare 31 në Bërnjak të Zubin Potokut ishte e para në të cilën u vendosën pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë.

Në të njëjtën kohë, trupa të tjera të kësaj njësie ishin bllokuar në fshatin Rudare të Zvecanit, derisa ishin nisur drejt pikës kufitare 1 në Jarinje të Leposaviqit, që të kthejnë edhe atje kontrollin kufitar.

Serbët e revoltuar, gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës, në këtë fshat kishin bllokuar magjistralen me gurë, zhavorr, kamionë e traktorë duke penguar policinë që të shkojnë në Jarinje.

Ndërhyrja e vetë komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler që të gjejë zgjidhje dhe jogatishmëria e EULEX-it që të përkrah këtë operacion, kanë bërë që tentimet të vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit të ditës së martë. Nëpërmjet një deklarate për media, trupat e NATO-s në Kosovë kanë bërë thirrje për maturi dhe qetësi, kurse zyrtarët e EULEX-it vazhdimisht e kanë përsëritur se nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë operacion. Duke mos u tërhequr, Njësia Special është dërguar me helikopter të KFOR-it drejt Leposaviqit, ku edhe ka marrë nën kontroll pikën kufitare 1.

Gjatë këtij aksioni, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se pesë pjesëtarë të njësive speciale të Policisë janë plagosur gjatë natës të së hënës, por asnjë rëndë. Ministri ka deklaruar se pjesëtari i Policisë është plagosur në këmbë, kur ndaj tyre në Zubin Potok është hedhur një mjet shpërthyes. Ndërkohë, katër të tjerët janë lënduar në fshatin Rudare të Zveçanit.

Bashkë me vendosjen e pjesëtarëve të Njësisë Speciale, atje janë vendosur edhe doganierët. Sipas Mimoza Kusarit-Lilës, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, vendosja e doganierëve në pikën 31 nuk ka qenë e mundur të bëhet, për shkak se policët janë sulmuar me armë zjarri në kohën kur ata shkonin atje.

Borislav Stefanovic, udhëheqës i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, ka thënë se ka arritur marrëveshje me komandantin e KFOR’it, Erhard Buhler, që deri të mërkurën në mëngjes, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga postblloqet në Veri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›