E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgoni i policisë përplas automjetin, nuk ndihmojnë të lënduarit

DURRËS/ Pas aksidentit të ndodhur, uniformat blu nuk e kanë pranuar përgjegjësinë, duke akuzuar dasmorët


DURRËS - Një makinë tip "Volksvagen" me ngyrë gri metalizato në momentet që po udhëtonte drejt qytetit të Vlorës është aksidentuar në aksin rrugor Plepa - Kavajë afërsisht në pikën e mesit të segmentit Golem - Mali i Robit. Aksidenti nuk ka qenë i zakonshëm në këtë rast, pasi shkak i përplasjes ka qenë një mjet policie e saktësisht furgoni i policisë së Kavajës. Ky i fundit, në kohën që po lëvizte, ka qenë në krah të kundërt, ndërsa ka goditur makinën që drejtohej nga shoferi Aulon Malo. Siç shihet edhe nga fotografia që bëmë për gazetën "Shekulli" në vendngjarje, mjeti "Volksvagen" me targa të huaja AY 960 është aksidentuar në krahun e vet, ndërsa po udhëtonte drejt qytetit të Vlorës.

Pas përplasjes, të dëmtuarit ishin të revoltuar me policinë pasi ata, sikurse thanë, në vend që t'iu ofronin ndihmën e duhur i kanë akuzuar se e kishte fajin drejtuesi i mjetit të huaj, i cili, sipas tyre, kishte pirë. Shkaku që i akuzuan se kishte pirë, ishte se makina po kthehej nga Sukthi ku kishte marrë edhe një nuse. Për fat të mire, nusja nuk kishte qëlluar në mjetin që u përplas, por një makinë "Opel korsa" që ndodhej pas mjetit të dëmtuar. Personat që kishin ndenjur në makinë thanë se shoferi kishte të dëmtuar këmbën dhe një fëmijë që ndodhej brenda në mjet ndjente dhimbje barku dhe ata po pyesnin se në cilin spital ta çonin. Një burrë i revoltuar që ndodhej së bashku me nusen dhe një grua tjetër, ndërsa të tjerë po debatonin me policët, thanë se nuk ka shtet, pasi policët në vend që të përpiqeshin t'u ngecnin fajin me procesverbal, duhej që t'u jepnin ndihmë mjekësore dhe se faji dukej qartë se i kujt ishte përderisa makinës së tyre u qe prishur e përkthyer rrota dhe nuk mund të lëvizte asnjë centimetër dhe ndodhej e tëra në krahun e vet.

***

Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites afërsisht në orën 16:00. Pasi kanë marrë nusen në Sukth të qytetit të Durrësit, dy makinat janë nisur për t'u kthyer për në Vlorë. "Duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Kavajës, ndërsa po ecnim normalisht në krahun tonë edhe me shpejtësi normale, pasi rruga nuk të lejonte që të ecje shpejt, sepse në këtë orë ka mbingarkesë nga plazhi, - thanë të dëmtuarit, - vjen makina e policisë dhe siç edhe e shihni, na godet në krahun e shoferit duke e shkatërruar fare rrotën e parë dhe akset e saj, gjë që bëri që makina të ndalojë në vend".

Kjo ka qenë tabloja e aksidentit të ndodhur e që e konkretizonte edhe mjeti i dëmtuar në anë të rrugës. Një fëmijë 10-vjeçar, i cili ishte marrë për të shoqëruar nusen sipas një tradite të lashtë të vendit tonë, ndiente dhimbje në bark dhe për disa kohë qëndroi nën kujdesin e nënës së vet dhe të nuses tek makina tjetër "Opel". Sipas Aulon Malos, ai nuk kishte pirë tek krushqia në Sukth dhe makina kishte mbetur e palëvizur në krah të vet. Ai kishte këmbëngulur që të mos e firmoste procesverbalin e afruar nga policia, që e linte atë fajtor, ndërkohë që thanë se fajtore ishte policia, e cila kishte goditur me furgonin e saj makinën e dasmorëve.

Dhe mjeti qëndronte kokëfortë anash rrugës pa pasur mundësi lëvizjeje pasi rrota e parë i qe kthyer kryq, në formë tërthore dhe e kishte të pamundur lëvizjen, përveçse me karrotrec. Ndërkohë, makina tjetër u nis për të çuar fëmijën 10-vjeçar për në spital.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›