Kodheli: Bode të tregojë pse u zhvlerësua leku
Partia Socialiste akuzon qeverinë se zbrazi arkën e shtetit shqiptar për të paguar premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale
TIRANË- Partia Socialiste ka sulmuar ashpër qeverinë në lidhje me një serë treguesish negativë që po shfaqen në ekonominë vendase gjatë kësaj periudhe të cilat sipas saj nuk kanë ngjarë ndonjëherë më parë gjatë viteve të pluralizmit në Shqipëri. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, i ka kërkuar publikisht dje nëpërmjet një konference për shtyp, ministrit të Financave Ridvan Bode që t'i bëjë të ditur shqiptarëve se cili është shkaku që monedha vendase po zhvlerësohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se përse qeveria boshatisi arkën e shtetit me qëllim përmbushjen e investimeve elektorale për zgjedhjet e 28 Qershorit.
"I kërkojmë ministrit të përgjigjet, përse po zhvleftësohet leku për herë të parë në historinë e këtyre 18 vjetëve në periudhën kulmore të fluksit të ardhjes së emigrantëve e turistëve, pse u boshatis arka e shtetit të shqiptarëve me shpenzimet për fushatë elektorale, pse qeveria anuloi të gjitha prokurimet publike për gjashtëmujorin e dytë dhe pse prej disa muajsh qeveria nuk po i paguan më firmat e saj të ndërtimit të rrugëve", -tha Kodheli. Në vijim të deklaratës së saj, Kodheli theksoi se vendi është duke u përfshirë në krizë për hir të interesave të një grupi të kufizuar pushtetarësh.
"Pushteti i korruptuar dhe korruptues që me votat e grabitura të 28 qershorit do t'i japë jetë së shpejti qeverisë së fundit të politikës së vjetër, po e zhyt Shqipërinë drejt një krize të jashtëzakonshme vetëm për hir të interesave e të përfitimeve të një grushti njerëzish",-tha ajo. Reagimi i Partisë Socialiste vjen vetëm disa ditë pasi ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi publikisht se rritja ekonomike e vendit për vitin 2009 pritet të jetë në shifrat e pesë për qind.
"Nëse për programimet tona për rritjen ekonomike për vitin 2009 shkojnë në pesë për qind mendojmë që gjatë vitit të ardhshëm t'i afrohemi përsëri nivelit të gjashtë për qind, për të tentuar që më 2011-n dhe 2012-n të kapim prapë nivele rritjeje si viti i kaluar, me tetë për qind apo nëntë për qind rritje. Ne marrim në konsideratë efektet që vijnë nga impakti i krizës ndërkombëtare, të cilat janë shfaqur gjatë këtij viti në sistemin doganor përmes një ngadalësimi të ritmeve të rritjes së të ardhurave në sistemin e doganave për shkak të rënies së çmimeve për grup-mallrash kryesore, me peshë në ekonominë shqiptare, si karburantet", -tha Bode.