Furnizimet me gaz ende pezull, pavarësisht nga marrëveshja Moskë-BE

Grupi i parë i vëzhguesve evropianë mbërriti në Kiev për të ndihmuar në sheshimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë lidhur me furnizimin me gaz që ka prekur rreth 20 vende.
Në grupin e vëzhguesve përfshihet edhe Filip Kornelis, ndihmës i Drejtorit të Përgjithshëm për Transportin dhe Energjinë pranë Komisionit Evropian. Ai tha se ekipi synon të mbikëqyrë rifillimin sa më të shpejt që të jetë e mundur të furnizimit me gaz të Evropës nga gjiganti rus i energjisë Gazprom përmes sistemit ukrainas të tubacioneve.
“Synimi i misionit tonë mbikëqyrës është të verifikojmë vëllimin e gazit që kalon përmes sistemit ukrainas të tubacioneve dhe ta krahasojmë atë me sasinë e gazit që u shkon konsumatorëve evropianë me të cilët ka kontratë Gazpromi.”
Pavarësisht nga marrëveshja me Rusinë, vëzhguesit evropianë njoftuan se nuk kishin parë transport gazi rus dje. Kryeministri rus Vladimir Putin i tha kryeministrit çek Mirek Topolanek që ndodhet për vizitë në Rusi, se Ukraina duhet së pari të firmosë një marrëveshje që do t’i lejonte rusët të jenë pjesë e ekipit mbikëqyrës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Pia Arenkilde-Hansen thotë se gjiganti rus i energjisë, Gazprom, duhet të përmbushë detyrimet e tij në bazë të kontratave të biznesit:
Moska pezulloi furnizimin e Evropës përmes Ukrainës këtë javë, pasi akuzoi Kievin se po vidhte gaz natyror për të kompensuar mungesat në furnizimin e vendit. Ukraina e ka hedhur poshtë këtë akuzë.
Mosmarrëveshjet Moskë-Kiev janë shndërruar në një barrë të rëndë në Evropën Lindore, ku institucione publike si shkolla dhe klinika u mbyllën dje për arsye të mungesave në furnizimet me gaz.
INA/NOA