E Enjte, 5 Nëntor 2026

Furnizimi me ujë i zonave bregdetare, Balluku: Është menduar edhe për dekadën tjetër

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të zonave bregdetare, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi.

Zëvendëskryeministrja Balluku, së bashku me drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj ishin në zonën e Dukatit, ku po punohet për ndërtimin e rrjetit të ri të transmetimit të ujit.

Balluku tha se ky projekt do të jetë i vlefshëm jo vetëm për të tashmen, por edhe për dekadën e ardhshme.

“Ndodhemi tek një pjesë tjetër e rëndësishme e investimeve tona. Jemi në zonën e Dukatit për të dërguar ujin, në një zonë të shpallur zonë e rëndësisë së veçantë, duke qenë se atje kemi disa nga investimet strategjike në turizëm. Nga Dukati do të investojmë të dërgojmë ujin në Palasë, Dhërmi, Gjilekë, Kondraq etj. Të gjithë pjesën pra të konsideruar si një nga zonat zhvillimore të turizmit në jug. Tashmë dhe me tunelin e Llogorasë do të zhvillohet edhe më tepër, për shkak të aksesit në infrastrukturë që ka”, tha Balluku.

“Është bërë një kërkesë që për lejet e zhvillimit, jo vetëm të ndërtimit të marra për këtë zonë, të kishte një përllogaritje të saktë për të patur një projeksion se si duhet të zhvillohet zona dhe kapacitetet e nevojshme jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen qoftë për ujin, qoftë për energjinë. Projektet që po ndërtohen sot do të jenë të dobishmë për një dekadë të ardhshme. Kushtet atmosferike janë shumë të ndryshme nga vera në dimër. Pra kemi temperature që shkojnë nën 0 gradë, deri në temperatura shumë të larta gjatë verës. Zgjedhja e tubit ka qenë shumë e rëndësishme, jo vetëm për sa i takon kushteve higjienike, për transmetimin e një volume shumë të lartë, por edhe për të qenë rezistent nga kushtet e ndryshme atmosferike që ka zona”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej tek reforma që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në sektorin e ujësjellës kanalizimeve ku ka një përmirësim të dukshëm të të gjithë treguesve, por mbi të gjitha edhe të shërbimit ndaj qytetarëve. Balluku theksoi gjithashtu se po punohet edhe për uljen e humbjeve teknike, një problematikë e mbartur në vite në këtë sektor.

“Që reforma është e mirë, këtë nuk e diskuton më askush, sepse flasin numrat, flasin shifrat dhe kur flasin shifrat dhe kur ke përmirësim të kushteve financiare të këtyre ndërmarrjeve të cilat ishin kthyer në ndërmarrje debitore të cilat krijonin vetëm probleme për palët e treta, duke nisur nga OSHEE-ja, duke nisur me taksat lokale dhe gjithçka tjetër, është e padiskutueshme. I referohemi shifrave, kemi përmirësim të kushteve financiare, kemi përmirësim të shërbimit, kemi përmirësim të fizibilitetit të investimeve dhe siç e the edhe vetë, kemi një koordinim të jashtëzakonshëm të projekteve”, deklaroi Balluku.

Drejtori i AKUK, Klevis Jahaj bëri të ditur se projekti në fjalë mbulon kërkesën aktuale të zonës, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe zhvillimit të zonës në vitet e ardhshme. “Ky është një investim mëse i nevojshëm. Ne kemi bërë llogaritjet e sistemit hidraulik duke u bazuar në të gjithë pjesën, jo vetëm të njësive akomoduese aktuale ose banesave që janë, por edhe ato të cilat janë miratuar dhe janë në projekt zhvillimi”, tha Jahaj.

Zona bregdetare e Draleos, Drimadhes dhe Dhërmiut shumë shpejt do të ketë një furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, falë projekti që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve është duke zbatuar. Investimi nis në zonën e Tragjasit, ndërsa përmes rrjetit të ri që po ndërtohet do të bëhet e mundur furnizimi i zonës bregdetare me ujë të pijshëm.

Projekti për furnizimin me ujë të zonës së bregut është në fazën e parë. Projekti strategjik për furnizimin me ujë të Dukatit, Dhërmiut, Palasës etj., është hartuar në mënyrë të tillë për të përballuar dhe fluksin e madh të turizmit dhe është menduar të shtohet kapaciteti i furnizimit me ujë, duke patur rreth 300 litra ujë/banor për zonat e përmendura. Është një investim mëse i nevojshëm. Është bërë analiza e sistemit hidraulik. Është bërë analiza dhe e sistemeve akomoduese dhe ato që janë në projekte zhvillimi, pra që kanë marrë miratimin për t’u ndërtuar. Në krahun tjetër të tunelit, nga krahu i Palasës do të ndërtohet dhe një depo, e cila do furnizohet nga pika e Dukatit, dhe në Palasë. Depo do ketë një pompë shtytëse për të furnizuar dhe zonën e Dhërmiut, Kondraqit, Palasës etj.

Ndërtimi i rrjeti të furnizimit me ujë të zonave bregdetare, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi është një projekt i shtrirë në dy bashki, Vlorë dhe Himarë. 2300 banorë, 3200 punonjës që shërbejnë në njësitë hoteliere të zonës si dhe më shumë se 65 mijë turistë do të jenë përfitues të këtij investimi.

1 nga 5

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›