Rrjet i ri ujësjëllësi për jugun, Balluku: Rritet cilësia e shërbimit për banorët dhe turistët

Një furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm do të kenë shumë shpejt 3 zonat bregdetare të Draleos, Drimadhes dhe Dhërmiut. Investimi që e bën të mundur nis në zonën e Tragjasit, ndërsa përmes rrjetit të ri që po ndërtohet do të bëhet e mundur furnizimi i zonës bregdetare me ujë të pijshëm.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku tha se reforma e ndërmarrë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ka sjellë një përmirësim të dukshëm të të gjithë treguesve.
“Që reforma është e mirë, këtë nuk e diskuton më askush, sepse flasin numrat, flasin shifrat dhe kur flasin shifrat dhe kur ke përmirësim të kushteve financiare të këtyre ndërmarrjeve të cilat ishin kthyer në ndërmarrje debitore të cilat krijonin vetëm probleme për palët e treta, duke nisur nga OSHEE-ja, duke nisur me taksat lokale dhe gjithçka tjetër, është e padiskutueshme”, tha Balluku.
Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj tha se projekti në fjalë mbulon kërkesën aktuale të zonës, duke ju përgjigjur njëkohësisht edhe zhvillimit të zonës në vitet e ardhshme.
“Është një investim mëse i nevojshëm. Ne kemi bërë llogaritjet e sistemit hidraulik duke u bazuar në të gjithë pjesën, jo vetëm të njësive akomoduese aktuale ose banesave që janë, por edhe ato të cilat janë miratuar dhe janë në projekt zhvillimi”, tha Jahaj.
Ndërtimi i rrjeti të furnizimit me ujë të zonave bregdetare, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi është një projekt i shtrirë në dy bashki, Vlorë dhe Himarë.
2300 banorë, 3200 punonjës që shërbejnë në njësitë hoteliere të zonës si dhe më shumë se 65 mijë turistë do të jenë përfitues të këtij investimi.
/rtsh.al/