Futboll i femrave/ Vllaznia drejt tërheqjes nga kampionati, presidenti Matija jep dorëheqjen

Një lajm i papritur vjen nga Shkodra, ku Vllaznia e futbollit të femrave, me shumë mundësi, nuk do të marrë më pjesë në kampionat. Lajmi lidhet me faktin se presidenti i kësaj skuadre, Lazër Matija, ka dhënë dorëheqjen. Ai doli sot në një konferenceë shtypi, ku deklaroi se ka marrë vendimin për t’u larguar nga posti i presidentit të Vllaznisë në futboll për femra dhe po ashtu nga posti i kreut të shoqatës rajonale të futbollit të Shkodrës.
Vendimi i Matijas lidhet me situatën e fundit te Vllaznia dhe klimën jo pozitive. Me tërheqjen e tij, skuadra e Vllaznisë, që ka mbretëruar në futbollin e femrave, duke fituar 13 tituj kampionë, pritet të shpërbëhet.
Vllaznia ka shkuar po ashtu deri në fazën e grupeve të Champions League, ku është ndeshur me skuadra si Real Madrid, PSG, Çelsi, Juventus, Inter etj, prandaj dhe ky zhvillim i fundit i ka befasuar të gjithë.