Nis shpërndarja e teksteve shkollore në Korçë, falas për nxënësit e klasave të para deri në të pesta

Ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore për vitin e ri mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar të Korçës.
Prej orëve të para të mëngjesit, prindër dhe gjyshër iu drejtuan shkollave për të marrë paketat e librave, ndërsa këtë vit, për herë të parë, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të pajisen me tekste të reja dhe falas.
Mbështetja është vlerësuar nga familjet, të cilat e shohin pajisjen falas me tekste si një lehtësi financiare dhe një ndihmë për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor.
“Librat falas i kemi marrë, vajza shkon me klasë të gjashtë. Është shumë ndihmesë se fëmijët kanë shpenzime”
“Jemi shumë të kënaqur. Në klasë të tretë e kam vajzat dhe janë falas të gjitha të reja”, thanë disa prindër.
Shpërndarja e librave do të vijojë në te gjitha shkollat e Korçës, ndërsa mësimi në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në vend nis më 14 shtator.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/