E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbolli shqiptar, shpesh nën akuzëKlubet dhe Kombëtarja janë përfolur për trukime të ndeshjeve. Ja ndeshjet më të dyshimta, që janë bërë objekt dyshimesh

Rrjetet sociale:

(PANORAMA SPORT)- Skuadrat shqiptare janë përfolur sistematikisht vitet e fundit për trukime ndeshjesh, jo vetëm brenda kampionatit vendës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Jashtë aludimeve për afera të pista nuk ka mbetur as Kombëtarja shqiptare, e cila shpesh është vënë në qendër të kritikave për rezultate të dyshimta.
1994-1996: Shqipëri-Uells
Kombëtarja luante përballë Uellsit. Takimi përfundoi 1 me 1 dhe sipas ish-kapitenit Rudi Vata ishte i shitur. “Strakosha më ofroi 50 mijë marka për atë takim”, pat deklaruar më pas ai. Por edhe ish-trajneri Neptun Bajko do të thoshte më vonë se kishte mjaft dyshime për atë ndeshje.
2006-2008: Rumani-Shqipëri
Katër ditë më vonë një tjetër kapitullim i kuqezinjve. Këtë herë në Bukuresht, 6 me 1 për rumunët. Kombëtarja u akuzua nga kryeministri Sali Berisha. Por pas hetimeve nuk doli asgjë në dritë, madje as UEFA nuk u mor me këtë ndeshje.
2002-2003: Dinamo-Brondbi
Dinamo-Brondbi 0-4, 7 gusht 2002, paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve. Mashtrimi, sipas disa ekspertëve të vënies së basteve, ishte studiuar në detajet më të vogla dhe sipas tyre kishte nga ata që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt, atë që ishte paracaktuar.
2003-2004: Dinamo-Lokeren
Dinamo-Lokeren 0-4. Skuadra belge fitonte që në pjesën e parë me rezultatin 4-0 dhe për këtë takim ishin vendosur shuma të mëdha bastesh në internet. FSHF-ja bëri më vonë një denoncim në prokurori për të dy klubet, por nga hetimet prokurorët nuk mundën të vërtetonin asgjë.
2003-2004: Partizani-Birkikara
Të kuqtë fituan 4-2 ndeshjen e parë në Tiranë, ku nuk munguan thashethemet që para nisjes së saj, të cilat flisnin për një rezultat në kokë. Çuditërisht ashtu doli. E njëjta gjë edhe në takimin e dytë në Maltë, ku vendësit fituan me rezultatin 2-1.
2003-2004: Vllaznia-Dandi
Vllaznia-Dandi 0-2. Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA. Një skocez vendosi një shumë prej 22 mijë sterlinash, rreth 35 mijë dollarë, për një rezultat 2-2 (fitore e Dandit që në pjesën e parë), shumë e madhe kjo për një bastexhi dosido.
2004-2005: Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin
Të gjithë e dinë, por asnjë futbollist ose drejtues nuk dëshiron të flasë. Pas ndeshjes në Kupës UEFA në turin e dytë me Hapoel Bnei Sakhnin të Izraelit, Partizani hapi portën dhe vendësit fituan 6-1 në total. Presidenti Albert Xhani largoi tetë futbollistë si të implikuar në shitjen e kësaj ndeshjeje.
2004-2005: Dinamo-Otelul Galati
Kjo cilësohet edhe si ndeshja e fundit fiktive e Mihal Delijorgjit si president i Dinamos. Në Konstanca të Rumanisë skuadra dinamovite humbiste 4-0, rezultat për të cilin u vunë shumë baste, gjithashtu në stadiumin “Qemal Stafa” u përsërit i njëjti skenar dhe Dinamo humbiste sërish 4-1.
2005-2006: Ekranas-Elbasani
Ekranas-Elbasani 3-0. Takimi i fituar nga vendësit u fut në listën e zezë të UEFA-s, për shkak të lojës shumë të dobët dhe të dyshimtë të disa prej futbollistëve të Elbasanit. Takimi i parë kishte mbaruar në barazim 1 me 1, por verdheblutë kishin luajtur shumë herë më mirë. 
2007-2008: Bezhanija-Besa
Bezhanija-Besa 2-2. Kjo ka qenë ndeshja më e përfolur e vitit të kaluar, përsa u përket klubeve shqiptare. Kuotat e kësaj ndeshjeje ishin ndryshuar në disa kompani bastesh disa minuta para fillimit të takimit dhe ishin vënë shumë para për një barazim dhe një ndeshje me shumë gola. 
2007-2008: Besa-Liteks Loveç
Besa-Liteks Loveç 0-3. Kavajasit u mundën lehtësisht nga bullgarët, por ajo që të binte më shumë në sy ishte fakti se edhe për këtë takim ishin vënë baste në kontinentin aziatik. Madje fitorja e miqve si në pjesë të parë, ashtu edhe në të dytën kuotohej mjaft lart. 
2007-2008: Slaven Belupo-Teuta
Slaven Belupo-Teuta 6-2, takimi i parë i Kupës UEFA. Ndeshja përfundoi në listën e zezë të Europolit, pasi për të ishin vënë baste marramendëse nga disa salla bastesh në Azinë e largët. Ishin vënë baste për një ndeshje që përfundonte me shumë gola, ashtu sikundër ndodhi.


Eksperti i basteve: Si u trukua Dinamo-Brondbi
Data 7 gusht 2002 është historike. Në atë kohë luheshin paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, Dinamo ishte pritëse përballë danezëve të Brondbi. Mashtrimi ishte studiuar në detajet më të vogla dhe kishte prej atyre që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt të ndeshjes, atë që ishte paracaktuar. Por dyshimet për manipulime ishin shumë të forta, aq sa kompanitë e basteve u bindën se ndeshja ishte e trukuar. Graham Sharp, zëdhënësi i “Uilliam Hill”, shpjegoi situatën. “Të gjitha bastet ishin vënë në Londër dhe Mançester. Të gjitha ishin vënë në rezultatin përfundimtar 0-5, me koeficient mes 80 dhe 100.” Problemi për atë që kishte programuar trukimin e rezultatit ishte se plani nuk u realizua. Ndeshja përfundoi 0-4 dhe danezët humbën në mënyrë të pabesueshme golin e pestë në minutat e fundit, duke bërë që personat që kishin organizuar gjithçka të mos ishin të suksesshëm në këtë tentativë.


Rregullorja
Në bazë të nenit 23 kreu i 15 i Kodit të Drejtësisë Sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit, subjektet që marrin dhurata korruptuese dënohen me heqje të pikëve dhe me pezullim nga 2 deri në 5 vite nga aktiviteti zyrtar. Në gjuhën e Kodit të Drejtësisë Sportive quhet dhuratë korruptuese, por kjo në aspektin juridik përmban atë që thuhet kompromis, ose aleancë në fushën e lojës.

Ligji i ri
Burg nga 2 deri në 7 vite dhe gjobë 100 mijë deri në 3 milionë lekë. Është ky sanksioni ligjor i vendosur më në fund në Kodin Penal shqiptar, pas propozimit nga Shoqata e Prokurorëve, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe MTKRS për shit-blerjen e ndeshjeve të futbollit. Sanksioni për një vepër të tillë pati munguar në Kodin Penal dhe sipas Shoqatës së Prokurorëve e ZMQ-së, kjo pati ndikuar në rezultatet e deritanishme në shumë ndeshje futbolli.

Precedenti, Dinamo dhe  Vllaznia, në prokurori

Federata Shqiptare e Futbollit pati nisur vetëm një herë seriozisht hetimet për trukime ndeshjesh nga klubet shqiptare. Rasti në fjalë i përket vitit 2003, kur federata depozitoi në prokuroi një padi për klubin e Vllaznisë dhe Dinamos për shitje ndeshjesh. Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA. Një skocez vendosi një shumë prej 22 mijë sterlinash, rreth 35 mijë dollarë për një rezultat 2/2 (fitore e Dandit që në pjesën e parë) në skedinën e sportit. Por ky bast nuk ishte i vetmi, sepse UEFA verifikoi edhe disa të tjera në shuma shumë pak më të vogla, që kishin vënë për këtë takim. FSHF-ja bëri denoncimin në prokurori për të dy klubet, por nga hetimet prokurorët nuk mundën të vërtetonin asgjë.


Numri i klikimeve - 1790
  E Enjte, 26 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›