E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fyerje raciste ndaj Vinicius, dënohen pesë persona në Spanjë

Vendimi i paprecedentë në Spanjë në luftën kundër racizmit në futboll. Për herë të parë, fyerjet raciste brenda një stadiumi janë dënuar si “krime urrejtjeje”.

Dënimi i dhënë të mërkurën më 21 maj nga gjykata e Valladolidit ka të bëjë me pesë persona të cilët më 30 dhjetor 2022 ishin përgjegjës për ofendime të rënda ndaj sulmuesit të Real Madridit, Vinicius Jr., gjatë një ndeshjeje kundër Valladolidit.

Të pestë u dënuan me një vit burg dhe një gjobë nga 1,080 deri në 1,620 euro, një vit ndalim për të votuar dhe katër vjet ndalim për ushtrimin e profesioneve përkatëse.

Për të shmangur burgun, të pandehurit duhet të respektojnë dy kushte: të mos kryejnë asnjë krim për tre vjet dhe të mos hyjnë në stadiume gjatë garave kombëtare për të njëjtën periudhë.

Gjyqi u hap në bazë të një denoncimi nga La Liga, ku më vonë iu bashkuan Vinicius Jr, klubi i Real Madridit dhe Prokuroria.

Dënimi përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme në luftën kundër racizmit në sport, krahasuar me dënimet e mëparshme për fyerje në stadiume, të cilat klasifikoheshin si “krime kundër integritetit moral me faktorin rëndues të diskriminimit” dhe jo si krime të urrejtjes racore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›